Sekretet në Uashington: Alienët sakrifikuan 8 000 lopë

Apr 14, 2011 | 8:58

Dokumente të deklasifikuara të FBI-së kanë treguar alarmin që u ngrit në Shtëpinë e Bardhë në fund të viteve ’70, pas raporteve se mijëra lopë po sakrifikoheshin nga alienët. Më shumë se 8,000 gjedhë u kapën nga një anije misterioze fluturuese, u gjymtuan dhe më pas u hodhën nga qielli në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara në fund të viteve ‘70, kanë raportuar agjentë specialë për shefat e tyre. Fermerë të terrorizuar në Nju Meksiko, Nebraska dhe Kolorado i trembeshin idesë se ata mund të ishin therur nga jashtëtokësorët në disqet e tyre fluturuese. Lopëve u ishin marrë pjesë të ndryshme të trupit si gjuha, buza e poshtme, organet seksuale, sytë apo veshët. Në disa raste kafshëve iu ishte thithur i gjithë gjaku. Sipas teorisë së një hetuesi: “Gjymtime identike janë kryer në të gjithë pjesën jugperëndimore të vendit. Kushdo që është përgjegjës, është i mirorganizuar me teknologji të pakufizuar, financime dhe sekrete”. Në janar 1979, prokurori i përgjithshëm amerikan në atë kohë, Grifin Bell, i ka shkruar senatorit Harrison Shmit, duke i thënë se “Materialet që më keni dërguar tregojnë një nga fenomenet më të çuditshme që mbaj mend”. Shmit ishte përfaqësues i Nju Meksikos, ku nga viti 1976 deri në 1978 u raportuan disa incidente misterioze në fermat e Dulces. Në një raport thuhej se organet e kafshëve ishin prerë me një mjet të mprehtë dhe preciz. Edhe kockat i ishin hequr në mënyrë precize. Gjaku i kafshëve ishte rozë, që tregonte se mbi ta ishte përdorur një lloj rrezatimi për t’i vrarë. Kjo nxiti frikën për një fushatë sakrificash jashtëtokësore të bagëtive.

© Panorama.al

Te lidhura