Sarandë, aksident tragjik në hyrje të qytetit

Apr 19, 2011 | 10:38

SARANDE – Një makinë tip “Benz” është përplasur me një motor, duke shkaktuar humbjen e jetës së drejtuesit të motoçikletës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:45, në pjesën hyrëse të rrugës për në qytetin e Sarandës, kur Orjon Braho, 24 vjeç, është aksidentuar për vdekje, teksa drejtonte motoçikletën e tij. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima udhëtonte në drejtim të Metoqit me motoçikletën e vet dhe në afërsi të kthesës për në rrugën e katërt ndeshet me një automjet me targa SR 4216 B, drejtuar nga shtetasi Besnik Kroi, me detyrë mjek-ligjor në spitalin e qytetit të Sarandës. Ky i fundit ishte duke marrë kthesën për të shkuar në banesën e vet dhe në moment i ka ardhur me nxitim motoçikleta e drejtuar nga 24-vjeçari. Sipas burimeve spitalore, i riu ka vdekur menjëherë pas përplasjes, ndërsa trupi i tij, nga goditja e fortë, ka kapërcyer makinën. Plagë të rënda ka marrë edhe drejtuesi i mjetit me thyerje në këmbën e majtë, goditje të rëndë në qafë, disa fraktura në kokë dhe ndodhet i traumatizuar në spitalin e qytetit.     sh.d

© Panorama.al

Te lidhura