STAMBOLL- Kreu i shtetit, Bamir Topi, duke përshëndetur punimet e Forumit të 14-të Ekonomik Euroaziatik, në Stamboll ka theksuar se Shqiperia eshte e angazhuar t’i bashkohet BE-se, nderkohe qe rruga e vetme për sigurinë e paqes dhe zhvillimit në rajon është integrimi euroatlantik.
“Sot, Shqipëria është e angazhuar t’i bashkohet BE-së për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit që prej vitit 2009. Shqipëria është anëtare e NATO-s, gjithashtu e OSBE-së, Bankës Botërore, FMN-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, etj”- tha Topi.
Sipas tij, në një botë që globalizohet përditë e më shumë, takime të tilla, si Forumi i Marmarasë, dëshmojnë domosdoshmërinë e bashkëpunimit, veçanërisht mbi çështjet energjetike në rajonin e Detit të Zi e më gjerë, si elementë kyç për paqen dhe sigurinë rajonale.
Topi ka bërë një panoramë të ecurisë së Shqipërisë ndër vite, duke theksuar se vendi këto dhjetë vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore 6 për qind; ka një inflacion të shënjestruar në kufijtë 3 plus minus 1 për qind; ka një kurs këmbimi fleksibël; ka një rrjet bankar tregtar të zhvilluar, ku operojnë 16 banka private, me 511 degë në mbarë Shqipërinë dhe një rrjet sigurimesh, të gjitha këto pronësi tërësisht, ose pjesërisht të kapitalit të huaj.
Ai ka nënvizuar se ndonëse vendi nuk është bërë ende një destinacion madhor i turizmit, që rivalizon me vendet fqinjë, si Greqia dhe Kroacia. Megjithatë, Shqipëria karakterizohet nga një numër shumë i madh sitesh arkeologjike të qytetërimit iliro-romak, gjurmëve dhe kështjellave antike dhe mesjetare, parqe kombëtare, male dhe rezervate natyrore të mbrojtura, si dhe një bregdet prej 450 kilometrash.
“Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si “fuçi baruti”. Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni”- tha ai.
© Panorama.al











