Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si një “sukses” samitin e G7 të mbajtur në Evian, duke theksuar se takimi shënoi një moment uniteti dhe bashkëpunimi mes liderëve botërorë, pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh.
Gjatë një konference për shtyp, Macron u shpreh se samiti përfaqësoi “një moment uniteti, diskutimesh cilësore dhe bashkëpunimi të vërtetë mes liderëve”, duke shtuar se kjo ka mundësuar një koordinim më të ngushtë për përballimin e krizave globale dhe sfidave kryesore të kohës.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe lufta në Ukrainë. Sipas presidentit francez, liderët e G7 ranë dakord se balanca e forcave në konflikt është zhvendosur në favor të Ukrainës.
“Ukraina po përparon, po reziston dhe Rusia po tërhiqet”, deklaroi Macron.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së presionit ndaj Moskës, duke nënvizuar se vendet e G7 janë angazhuar për forcimin e mëtejshëm të sanksioneve.
“Jemi të vendosur të rrisim presionin, përfshirë edhe përmes forcimit të sanksioneve tona. Ky riaktivizim i G7 është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.
Duke folur për unitetin brenda grupit, Macron nënvizoi se kjo është hera e parë që arrihet një nivel kaq i lartë dakordësie për çështjen e Ukrainës.
“Sot kemi një konvergjencë të paprecedentë brenda G7 dhe kemi arritur në përfundime shumë të qarta”, përfundoi presidenti francez.
© Panorama.al












