“Rama dizinformuesi më i madh në Shqipëri”- Jorida Tabaku: PE kërkon shfuqizimin e ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe ligjit të investimeve strategjike

Jun 17, 2026 | 16:58

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar pas amendamenteve të miratuara në Parlamentin Europian për Shqipërinë, duke u shprehur se Rama dezinformon publikun se gjoja PE ka rënë dakord me vizionin e qeverisë për zonat e mbrojtura.

tabaku pe

Sakaqj ajo ka akuzuar qeverinë se ka krijuar një sistem që favorizon interesa të ngushta në dëm të interesit publik.

Sipas Tabakut, ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024 hapën rrugën që prona dhe troje me vlerë të lartë të kalonin në duart e përfituesve të veçantë, ndërsa disa prej tyre, sipas saj, janë aktualisht nën hetim nga SPAK.

Deputetja thekson se amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor që ishte në fuqi para ndryshimeve të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, si edhe heqjen e ligjit të investimeve strategjike.


Postimi i Tabakut:

Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri!
Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.
Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.
Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.
Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane.
© Panorama.al

Te lidhura