Vrasja në Poloninë lindore e një karikaturisti rus dhe kritiku të Presidentit rus Vladimir Putin, ka të gjitha shenjat e një vrasjeje politike, tha kryeministri polak Donald Tusk.
“Gjithçka tregon se ishte një vrasje politike”, tha Tusk për vrasjen të hënën të karikaturistit 44-vjeçar Robert Kuzovkov, i njohur me emrin e tij artistik Semyon Skrepetsky.
Kuzovkov, 44 vjeç, u qëllua për vdekje nga afër në Biała Podlaska.
“Nëse është urdhëruar nga Rusia, atëherë kjo është gjithashtu një çështje shumë serioze me një dimension ndërkombëtar”, shtoi Tusk.
Sipas autoriteteve polake, Semyon Skrepetski (foto poshtë) u vra të hënën në mëngjes në rrugë nga një burrë që e qëlloi tre herë me revolver. Kur artisti ra përtokë, sulmuesi iu afrua dhe e qëlloi dy herë nga afër.
“Si policia polake ashtu edhe shërbimi i inteligjencës vendase i kishin ofruar mbrojtje Skrepetskit, por ai e kishte refuzuar atë për arsye të panjohura”, tha Tusk.
Dy bjellorusë u arrestuan në lidhje me rastin, por u liruan, njoftuan sot autoritetet gjyqësore. Një hetim është duke u zhvilluar për të identifikuar autorin e krimit.
Semyon Skrepetsky u bë i njohur për karikaturat e tij shpesh provokuese që përshkruanin figura politike ruse si Vladimir Putin, Joseph Stalin, udhëheqësin çeçen Ramzan Kadyrov dhe Alexei Navalny.
Skrepetsky u vendos në Poloni në vitin 2021, duke deklaruar se i frikësohet persekutimit politik në Rusi.
© Panorama.al













