Samiti i Diasporës, vota dhe përfaqësimi

Apr 22, 2026 | 7:32

GJON NDREJAJGJON NDREJAJ

DIASPORA, DEKOR APO AKTOR?

Në prill 2026, Tirana priti Samitin e katërt të Diasporës. Pallati i Kongreseve u mbush me flamuj, fjalime të ngrohta dhe çmime “Golden Eagles” për personalitete të suksesshme shqiptare jashtë kufijve. Qeveria e paraqiti ngjarjen si një moment historik për përfshirjen e emigrantëve në vendimmarrje. Një nga çështjet qendrore ishte vota e diasporës – për herë të parë, emigrantët morën të drejtën të votojnë nga jashtë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Por, a është ky me të vërtetë një hap drejt përfshirjes, apo vetëm një manovër për të siguruar mbështetje? Shumë analistë dhe vetë emigrantë e cilësuan samitin si një farsë, një skenë të kuruar me kujdes ku mungojnë zërat kritikë, debati i vërtetë zëvendësohet nga ceremonia dhe diaspora ftohet më shumë si dekor sesa si aktor. Gjatë samiteve të mëparshme janë ngritur çështje si vota, njohja e diplomave dhe mbrojtja e pasurive, por përparimi ka qenë i ngadalshëm. E vetmja arritje e prekshme është mundësimi i votimit nga jashtë. Pjesa tjetër mbetet retorikë. Në këtë kuptim, samiti funksionon më shumë si instrument komunikimi dhe legjitimimi për qeverinë sesa si mekanizëm real përfaqësimi. Kur nuk pasohet nga reforma institucionale dhe kur pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje mbetet e rastit, ai me të drejtë mund të quhet propagandë. Megjithatë, mohimi i plotë i samitit do të ishte i gabuar. Ai ka të paktën një vlerë simbolike: mban gjallë debatin për marrëdhënien midis atdheut dhe diasporës dhe krijon presion mbi politikanët për të adresuar kërkesat e emigrantëve. Funksionaliteti i vërtetë nuk do të vijë nga ceremonia, por nga hartimi i rregullave të qarta për përfaqësimin politik të diasporës, një çështje që samiti e nxjerr në pah, por nuk e zgjidh.

A DUHET TË VOTOJË DIASPORA? ARGUMENTE PRO DHE KUNDËR

Pyetja themelore është: A duhet që një qytetar që jeton jashtë Shqipërisë, nuk paguan taksa këtu dhe nuk përdor shërbimet publike, të ketë të drejtë të zgjedhë qeverinë dhe organet vendore? Argumenti kundër është i fuqishëm: zgjedhjet janë një atribut i atyre që kontribuojnë financiarisht në buxhetin e shtetit dhe jetojnë me pasojat e vendimeve politike. Përjashtimi i diasporës nga votimi është i justifikuar në emër të parimit të vetëqeverisjes territoriale. Nëse diaspora do të votonte në masë, ajo rrezikon të shtrembërojë vullnetin e rezidentëve – sidomos kur numri i emigrantëve tashmë arrin 49% të të gjithë shtetasve shqiptarë dhe vazhdon të rritet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se diaspora e re shqiptare, e larguar pas vitit 1990, arrin në rreth 2.25 milionë qytetarë, krahasuar me popullsinë rezidente prej rreth 2.4 milionë banorësh. Nëse kjo masë kritike do të merrte pjesë në zgjedhje pa asnjë lloj kufizimi, ata do të kishin potencialin të përcaktonin vetë rezultatin, duke lënë në hije zërin e atyre që jetojnë dhe përballen çdo ditë me pasojat e qeverisjes. Megjithatë, përtej debateve për të drejtën e votës, ekziston një arsye thelbësore që e bën përfaqësimin politik të diasporës jo vetëm të dëshirueshëm, por të nevojshëm për vetë qëndrueshmërinë e shtetit shqiptar. Shtetet moderne nuk janë thjesht territore me taksa; ato janë bashkësi qytetarësh të lidhur nga një kontratë sociale dhe një ndjenjë përkatësie. Kur mbi 2.2 milionë shtetas, gati gjysma e kombit, jetojnë përherë jashtë kufijve dhe nuk kanë asnjë mekanizëm për të ndikuar në vendimet që i prekin (ligjet për shtetësinë, marrëveshjet bilaterale për të drejtat e emigrantëve, mbrojtjen e pasurive, etj.), atëherë kontrata sociale prishet. Diaspora ndihet e braktisur, humbet interesin për atdheun dhe integrohet plotësisht në vendet pritëse. Kjo sjell humbje të kapitalit njerëzor, kulturor dhe ekonomik për Shqipërinë. Pa përfaqësim, diaspora mbetet një faktor i jashtëm, i paorganizuar dhe i paparashikueshëm. Me përfaqësim, ajo shndërrohet në një burim fuqie politike, ekonomike dhe diplomatike – një lobi natyror në vendet ku jeton, një rrjet kontaktesh dhe një forcë për të mbrojtur interesat kombëtare. Në këtë kuptim, përfaqësimi politik i diasporës nuk është një privilegj, por një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Një dallim thelbësor duhet bërë midis zgjedhjeve vendore dhe atyre politike (kombëtare). Në zgjedhjet vendore, sipas mendimit tim, diaspora nuk duhet të votojë. Kryetarët e bashkive dhe këshilltarët vendorë administrojnë taksat lokale dhe shërbimet që përdoren vetëm nga rezidentët. Të lejosh emigrantët të zgjedhin kryetarin e bashkisë, kur ata nuk jetojnë atje dhe nuk paguajnë taksa vendore, është e padrejtë dhe çon në politikë të shkëputur nga realiteti. Në zgjedhjet kombëtare, megjithatë, diaspora ka interes legjitim për politikat e jashtme, për investimet afatgjata që tejkalojnë mandatin e një qeverie, për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet për shtetësinë, të cilat i prekin drejtpërdrejt. Prandaj, votimi i diasporës duhet të kufizohet vetëm në zgjedhjet parlamentare.

VOTIMI I DIASPORËS: AVANTAZHET, RREZIQET DHE PËRVOJA NDËRKOMBËTARE

Nëse pranojmë që diaspora të votojë për Kuvendin e Shqipërisë, lind pyetja: Në çfarë forme? Modelet e votimit të diasporës nuk janë të rastësishme, ato rrjedhin drejtpërdrejt nga dallimet thelbësore në rolin që diaspora dhe rezidentët luajnë në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit. Rezidentët jetojnë në territor, paguajnë taksa, përdorin shërbimet publike (arsim, shëndetësi, infrastrukturë) dhe ndikohen çdo ditë nga vendimet e qeverisjes vendore dhe qendrore. Për ta, zgjedhjet janë një mekanizëm për të kontrolluar se si administrohen burimet e tyre dhe për të siguruar llogaridhënie. Diaspora, nga ana tjetër, jeton jashtë, ka interesa të ndryshme: lehtësim procedurash konsullore, mbrojtje pasurish në Shqipëri, lidhje kulturore dhe politika për shtetësinë. Ajo nuk ndikohet nga ndotja në Tiranë apo cilësia e shkollave në Korçë. Prandaj, përfshirja e saj në zgjedhje – nëse ndodh – duhet të jetë e kufizuar dhe e specializuar për çështjet që e prekin atë.

DY MODELET KRYESORE NDËRKOMBËTARE JANË:

Modeli i përfshirjes së plotë në zonat vendëse, (përdoret pjesërisht nga Franca dhe aktualisht është modeli i adoptuar nga Shqipëria): Emigrantët votojnë për kandidatët e qarkut të tyre të origjinës. Avantazhi është respektimi i parimit “një person – një votë”. Por rreziku është i madh: në qarqe me emigracion të lartë (Korçë, Dibër, Fier), votat e jashtme mund të jenë më shumë se ato vendëse, duke e kthyer deputetin vendor në përfaqësues të diasporës, jo të banorëve. Emigranti, nga ana tjetër, ka interesa specifike si emigrant, të cilat deputeti vendor nuk ka stimuj t’i përfillë, sepse vendasit i japin më shumë vota. Përvoja tregon se në këtë model diaspora neglizhohet dhe ankohet se zëri i saj humbet. Modeli i vendeve të rezervuara, (Kroacia, Italia, Portugalia, Greqia në propozim): Krijohet një ose disa njësi të veçanta zgjedhore për diasporën, e cila zgjedh një numër të kufizuar deputetësh (p.sh. 3 nga 151 vende në Kroaci, 4 nga 230 në Portugali). Avantazhi: diaspora ka zë të garantuar dhe të dedikuar për çështjet e saj, pa rrezikuar të dominojë parlamentin. Ky model ngre problemin e “pabarazisë” së dukshme – një diasporë që përbën 45% të zgjedhësve zgjedh vetëm 5% të deputetëve. Megjithatë, ky nuk është një defekt, por një kompromis i vetëdijshëm për të mbrojtur parimin e vetëqeverisjes së rezidentëve. Për Shqipërinë, niveli optimal i vendeve të rezervuara lëviz në një korridor midis 5% dhe 10% të totalit të mandateve në Kuvend (7-14 deputetë). Ky nivel përcaktohet nga pesë faktorë kyç:

1. Përqindja e diasporës; 49% e shtetasve kërkon zë, por rrezikon dominim.

2. Pjesëmarrja e ulët e diasporës në votime (15- 20% në 2025), shmang peshën disproporcionale.

3. Rreziku i shtrembërimit të vullnetit vendor, mbi 20% do të krijonte një “parlament paralel”.

4. Kontributi ekonomik (remitancat), rreth 1 miliard euro në vit, me ndikim makroekonomik, por jo taksa direkte.

5. Nevoja për zë të specializuar, për çështjet teknike të diasporës (konsullata, pasuri, trashëgimi).

Përfundimisht, modeli më i përshtatshëm për Shqipërinë është ai i vendeve të rezervuara, me 7- 10 deputetë të zgjedhur nga dy-tri zona jashtë vendit (Evropa, Amerika dhe pjesa tjetër e botës). Ky model balancon interesat, jep përfaqësim real, por nuk lejon diasporën të vendosë mbi taksat dhe shërbimet vendëse.

PËRSE JO NJË VOTIM I DETYRUAR?

Votimi i detyruar (compulsory voting) është një sistem ku shteti, me anë të ligjit, detyron qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe dënon mospjesëmarrjen me gjoba apo sanksione. Aktualisht, rreth 26 shtete në botë e aplikojnë këtë sistem (Australia, Belgjika, Brazili, Greqia). Në Shqipëri, debati u ngrit fuqishëm pas zgjedhjeve të fundit, kur pjesëmarrja ra në 42.17% brenda vendit dhe edhe me diasporën pjesëmarrja e përgjithshme ra me 4 pikë përqindje. Partia Demokratike e ka propozuar si zgjidhje.

Argumentet pro: rrit pjesëmarrjen, i jep legjitimitet më të madh qeverisë, ul ndikimin e blerjes së votave (sepse numri i votave në lojë bëhet shumë i madh) dhe e shndërron votimin në një detyrë qytetare.

Argumentet kundër: cenon lirinë individuale, e drejta për të mos zgjedhur është po aq e rëndësishme sa e drejta për të zgjedhur. Njerëzit e detyruar që nuk kanë interes, hedhin fletëvotime të pavlefshme ose të rastësishme, duke ulur cilësinë e demokracisë. Zbatimi është i vështirë dhe i kushtueshëm, sidomos për diasporën që jeton në dhjetëra vende të ndryshme. Por argumenti më i fortë kundër në kontekstin shqiptar është mosbesimi i thellë ndaj procesit zgjedhor.

Të detyrosh njerëzit të votojnë në një sistem që ata e konsiderojnë të manipuluar, ku partitë financohen në mënyrë okulte dhe ku blerja e votave mbetet e pandëshkuar, nuk do të krijonte një demokraci më të fortë, por një pakënaqësi më të madhe. Votimi i detyruar mund të funksionojë në vende me traditë të gjatë demokratike dhe besim të lartë institucional, si Australia ose Belgjika. Në Shqipëri, ai do të ishte një ilaç i rrezikshëm pa adresuar shkakun themelor: korrupsionin zgjedhor dhe mungesën e alternativave reale. Përpara se të detyrojmë qytetarët të votojnë, duhet t’u japim arsye për të besuar se vota e tyre numërohet dhe ka peshë. Kjo kërkon reformë elektorale, pastrim të listave, digjitalizim dhe ndëshkim të paligjshmërive. Pa këto, votimi i detyruar mbetet një masë sipërfaqësore dhe kundërproduktive.

PËRFUNDIME

Debati për pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje nuk mund të zgjidhet me slogane apo ceremoni samitesh. Shqipëria përballet me një realitet demografik të paprecedentë: gati gjysma e shtetasve të saj jetojnë jashtë kufijve. Përjashtimi i tyre i plotë është i padrejtë dhe i dëmshëm për unitetin kombëtar, por përfshirja e tyre e plotë, pa kufizime, rrezikon të shndërrojë rezidentët në një pakicë në vendin e tyre. Zgjidhja e duhur është ajo e përfaqësimit me vende të rezervuara, vetëm në zgjedhjet kombëtare, duke lënë zgjedhjet vendore në duart e atyre që jetojnë dhe paguajnë taksa në Shqipëri. Votimi i detyruar, nga ana tjetër, është një tundim i kuptueshëm për të rritur pjesëmarrjen, por ai nuk do të funksionojë pa ndërtuar më parë besim te procesi zgjedhor. Samiti i Diasporës do të kalojë nga propaganda në funksionalitet vetëm kur të prodhojë ligje dhe institucione që krijojnë modele reale përfaqësimi e jo vetëm ceremoni dhe tapete të kuqe.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura