Samiti Evropian i Mbrojtjes, analiza e “Politico”: “Djemtë e këqij” të BE-së që mund të shkatërrojnë takimin! Liderët përballë përplasjeve dhe vetove

Oct 22, 2025 | 18:32

Çështja e ndjeshme e forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Evropës do të jetë në qendër të axhendës së Samitit të Bashkimit Evropian që do të zhvillohet më 23-24 tetor në Bruksel.

WhatsApp Image 2025-10-22 at 18.29.17

Megjithatë, siç raporton Politico, mungesa e marrëveshjeve konkrete në takimin informal të Kopenhagës e bën të qartë se as në Bruksel nuk pritet një rrugë e lehtë.

Në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar, ndër të tjera, edhe për mbështetjen në fushën e mbrojtjes për vendin e tij, që vijon të jetë në luftë.

Siç ndodh shpesh, Samitet e Bashkimit Evropian pritet edhe kësaj here të karakterizohen nga tensione dhe përçarje mes vendeve anëtare, me disa liderë që paralajmërojnë vërejtje, kushte dhe madje edhe veto.

Ndër çështjet më të ndjeshme janë se si do të përdoren asetet ruse të ngrira për të financuar ndihmën për Ukrainën, debatet mbi objektivat e klimës së BE-së dhe dilemat për të ardhmen e industrisë automobilistike në disa vende anëtare.

Politico thekson disa liderë që pritet të jenë në qendër të përplasjes:

Robert Fico – Kryeministër i Sllovakisë

Fico ka paralajmëruar se mund të sabotojë samitin nëse BE nuk paraqet një plan të qartë për mbështetjen e sektorit të automjeteve në Sllovaki. Ai ka shprehur kundërshti ndaj paketës së re të sanksioneve kundër Rusisë, të 19-tën me radhë, edhe pse deri tani, pas kërcënimeve të shumta, zakonisht është tërhequr në fund.

Pavarësisht qëndrimit të tij pro-Kremlinit dhe kontakteve të vazhdueshme me Moskën, ai mund të japë aprovimin nëse siguron përfitime për industrinë vendase.

Viktor Orbán – Kryeministër i Hungarisë

Një nga figurat më kundërshtuese të BE-së, Orbán pritet sërish të sfidojë unitetin e bllokut. Në të kaluarën, ai ka bllokuar ndihmën ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën dhe ka refuzuar të nënshkruajë deklarata të përbashkëta të BE-së.

Ai kundërshton planin për sekuestrimin e aseteve ruse, duke argumentuar se një lëvizje e tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet e Hungarisë me Rusinë. BE po shqyrton mënyra për ta anashkaluar ligjërisht veton hungareze, një hap që me shumë gjasa do të përkeqësojë marrëdhëniet me Budapestin.

Për shkak të një feste kombëtare, Orbán do të mungojë në pjesën më të madhe të samitit dhe do të përfaqësohet nga… Robert Fico.

Bart De Wever – Kryeministër i Belgjikës

Një zhvillim i papritur: Belgjika, vend tradicionalisht i njohur për kompromiset, tani shfaqet si një ndër kundërshtuesit potencialë të planit për përdorimin e 140 miliardë eurove në asete të ngrira ruse për ndihmën ndaj Ukrainës.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve ndodhet në Euroclear, një institucion financiar me qendër në Bruksel. Qeveria belge kërkon garanci ligjore dhe ndarje të rreziqeve përpara se të japë aprovimin.

Edhe vende të tjera, përfshirë Hungarinë, Luksemburgun dhe Kroacinë – kanë ngritur shqetësime të ngjashme për pasojat ligjore që mund të sjellë ky vendim.

Friedrich Merz – Kancelar i Gjermanisë

Merz vjen në samit me një prioritet të qart, mbrojtjen e industrisë automobilistike gjermane. Ai po kërkon rishikim të ndalimit të motorëve me djegie që parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2035.

Berlini, i mbështetur nga Sllovakia, Çekia, Polonia, Austria dhe pjesërisht edhe Franca, kërkon që ligji të rishikohet për të lejuar një “neutralitet teknologjik”, që në praktikë do të mundësonte vazhdimin e përdorimit të karburanteve alternative dhe motorëve tradicionalë edhe pas vitit 2035.

Ndryshimi i këtij objektivi është politikisht i vështirë, por Merz po kërkon kompromis para se Komisioni Evropian të paraqesë rishikimin e ligjit deri në fund të vitit.

© Panorama.al

Te lidhura