Salla të reja te “Mbretëresha Geraldinë”

Apr 29, 2011 | 9:35

Salla të reja operacioni për maternitetin “Mbretëresha Gerladinë” në Tiranë. Inaugurimi u bë dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtori i maternitetit Halim Kosova dhe përfaqësues të kompanive private në vend, që kanë ndihmuar në pajisjen e sallave me aparatura të teknologjisë bashkëkohore. “Ky investim nuk ka vetëm vlerën e lekut të harxhuar, por ky investim ka dhe vlerën e lekut të kursyer në antibiotikë apo komplikacione të panevojshme. Me këtë riorganizim, rinovim dhe sistemim të sallave do vazhdojmë fazën e dytë, që të mos përdorim antibiotikë mbas ndërhyrjeve, që i përdorim për të qenë më të sigurt në punën tonë”, tha drejtori i maternitetit, Halim Kosova. Ai shtoi: “Vetëm gjatë një viti, në këtë maternitet janë kryer mbi 6 mijë lindje dhe rreth 2400 operacione. Kosova theksoi se këto salla  ishin të nevojshme, pasi ofrohet një shërbim cilësor për pacientët dhe më i sigurt, ndërkohë që inaugurimi i sallave do të pasohet me një fazë të dytë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e cilësoi gjithashtu mjaft të rëndësishëm këtë investim. “Kjo është një ngjarje e rëndësishme për nënat e reja. Tashmë puna jonë ka hyrë në një dimension të ri. Mund të themi me plot gojën se kemi hyrë në etapën e investimeve jo për zgjidhjen e rasteve emergjente, por për rritje të cilësisë” ,tha ministri.

© Panorama.al

Te lidhura