Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar takimin e ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili mblodhi më të votuarit e primareve dhe 11 Majit në një tryezë që zgjati rreth tre orë.
I pyetur a është i shqetësuar, Berisha u përgjigj se: “Jo njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament”.
Kryedemokrati u shpreh se PD është një parti e hapur çdo lloj mendimi dhe ideje, ndërsa theksoi se procesi i analizës së brendshme ka nisur.
“Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti”, tha Berisha.
Ai theksoi se Salianji është anëtar i Kryesisë së PD, duke shtuar se ka vendin ku t’i shprehë mendimet.
Sali Berisha: Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them.
Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka pasur dhe do ketë.
Unë i shqetësuar? Jo njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet.
Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres çdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë.
Takimi
Salianji mblodhi ditën e djeshme (27 Nëntor) në një tryezë të veçantë që zgjati rreth tre orë, emrat më të votuar të Partisë Demokratike, si nga listat e hapura ashtu edhe kryesuesit e primareve, në një diskutim të hapur mbi të ardhmen e partisë.
Përveç tij, në takim ishin të pranishëm edhe Ilir Alimehmeti (më i votuari në Qarkun Tiranë), Hysen Kadiu (më i votuari në primare), Aulon Kalaja (më i votuari në listën e hapur të Durrësit), Gent Cela (Qarku Fier), Qani Xhafa (Qarku Elbasan), Ted Kopliku (Qarku Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Qarku Diber), Alma Kore (Qarku Gjirokastër), Pardid Mahmutaj (Qarku Berat), Nada Daullja (Qarku Vlorë), si dhe një sërë kandidatesh të votuar dhe fitues të primareve.
Sipas burimeve nga takimi, qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në në këtë moment të rëndësishëm politik.
Diskutimet u fokusuan mbi rikthimin e ADN-së fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar.
“Rikthimi te ADN-ja fituese, meritokracia, hapja dhe besimi qytetar janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtojmë të ardhmen e partisë,” thanë burimet nga takimi.
© Panorama.al











