Trump: Memorandumi mes SHBA dhe Iranit do të nënshkruhet brenda 48 orëve, marrëveshja është finalizuar

Jun 17, 2026 | 22:37

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit do të nënshkruhet brenda 48 orëve të ardhshme, duke theksuar se dokumenti tashmë është në versionin përfundimtar.

trump_maketa

Megjithatë, ai bëri të ditur se ende nuk është vendosur vendi ku do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit.

“Është në formën e tij përfundimtare”, tha Trump duke iu referuar memorandumit të mirëkuptimit (MoU) të negociuar mes dy vendeve.

I pyetur se ku do të nënshkruhet saktësisht marrëveshja, presidenti amerikan u shpreh se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. “Nuk e kemi përcaktuar ende”, deklaroi ai.

Duke folur për gazetarët para largimit nga samiti i G7, me destinacion Parisin, Trump u shfaq i bindur se procesi ndodhet në fazën përfundimtare. Deklarata e tij vjen pas raportimeve se Uashingtoni dhe Teherani po kërkojnë të përshpejtojnë procesin e nënshkrimit, ndoshta edhe përpara takimit të planifikuar mes delegacioneve të dy vendeve në Zvicër.

Çfarë parashikon marrëveshja

Drafti i marrëveshjes parashikon, ndër të tjera, përfundimin e operacioneve ushtarake, heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, rihapjen e ngushticës së Hormuzit, lirimin e fondeve iraniane që mbahen të bllokuara jashtë vendit, si dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve.

Në të njëjtën kohë, Teherani riafirmon në dokument se nuk do të sigurojë armë bërthamore, ndërsa të dyja palët bien dakord të diskutojnë të ardhmen e programit bërthamor iranian nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Nënshkrimi i pritshëm konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në Lindjen e Mesme në vitet e fundit dhe pritet të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet SHBA–Iran, por edhe në ekuilibrat e fuqisë në të gjithë rajonin.

© Panorama.al

Te lidhura