Elis Bakaj, fantazisti që në janar firmosi kontratën 5-vjeçare me rumunët e Dinamos së Bukureshtit, duket se në maj mund të mos jetë pjesë e kësaj skuadre. Edhe pse mesfushori kuqezi vazhdon të jetë pjesë aktive e skuadrës rumune, prishjet e pazareve mes dy klubeve mund ta detyrojnë të kthehet në Tiranë. Nga shitja e Elis Bakajt, Dinamo duhet të përfitonte 250 mijë euro. Por deri më tani, të paktën sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, blutë tanë nuk kanë përfituar asnjë kacidhe. “Problemi është se nuk kemi kërkuar të ndihemi, sepse kemi besuar te korrektësia e rumunëve. Por, deri më tani ata jo vetëm që nuk na kanë dhënë asnjë kacidhe, por janë treguar jo korrektë dhe shumë bukëshkalë. Kemi tentuar të flasim si me menaxherin e lojtarit, Demollarin, ashtu dhe presidentin e rumunëve, por pa rezultat”, thotë Saliaj.











