TIRANE – Oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm arrestuan mbrëmjen e djeshme një punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr.1 të Tiranës, të akuzuar për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, mësohet se në pranga ka përfunduar 47-vjeçari Fatmir Sali Allmeta, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme. Burimet sqaruan se procedimi penal në ngarkim të tij ka nisur disa muaj më parë, pas një denoncimi që është kryer në zyrat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nga një qytetar, i cili pretendonte se oficeri Allmeta i kishte kërkuar 100 mijë lekë të vjetër, në mënyrë që të ndërhynte në përshpejtimin e procedurave të prodhimit për një kartë identiteti. “Ky punonjës u arrestua pas një hetimi disamujor me aplikimin e metodave speciale të hetimit, dhe pasi u kap në flagrancë me një shumë prej 10 mijë lekësh të rinj, me synim për të përfituar këtë shumë parash, në këmbim të nxjerrjes në kohë të shpejtë dhe dhënies së kartës së identitetit një qytetari”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës. Pasi u vendos mesditën e djeshme masa e sigurisë në mungesë nga Gjykata e Tiranës, oficerët e policisë ekzekutuan vendimin e gjykatës, duke arrestuar në shtëpi pas lënies së turnit, oficerin Fatmir Allmeta. Policia tha se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorimit të detyrës”.











