Çmimi i bukës është rritur ditët e fundit në disa furra të kryeqytetit me 10 lekë, me argumentin e shtrenjtimit të çmimit të miellit dhe rrjedhimisht grurit. Kanë qenë një pjesë e atyre furrave që deri dje e kanë treguar bukën me 80 lekë, që tashmë e tregtojnë atë më çmimin e ri, 90 lekë. Frika për një rritje të mëtejshme tashmë është shfaqur sërish, pasi gjatë 2010 rritja që filloi në gusht u pasua edhe me luhatje të herëpashershme, të cilat vendosën një çmim të rri standard që ishte mbi 80 lekë. Deri më tani, në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht luhatjeve të herëpashershme të çmimit siç ndodh në çdo treg, nuk ka pasur ndonjë rritje ekstreme, megjithëse nga Banka Botërore një farë shqetësimi është ngritur për drithërat, por sidomos për çmimet e ushqimeve në përgjithësi. E duke qëndruar këtu, vetëm pak ditë më parë INSTAT-i publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, ku rezulton se inflacioni edhe për muajin mars ka mbetur jashtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar nivelin 4.3 për qind. Në treguesit e regjistruar për mallrat e shportës, buka dhe drithërat kanë mbetur të shtrenjta edhe për muajin mars me një rritje 1.2 për qind krahasuar me një muaj më parë.
Indeksi i FAO
Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës e Kombeve të Bashkuara, apo shkurt FAO, pak ditë më parë publikoi indeksin e muajit mars lidhur me çmimet e ushqimeve si dhe disa opinione të ekspertëve të saj lidhur me të ardhmen. Një pikë shumë e rëndësishme që FAO-ja thekson, është ajo që lidhet me ecurinë e çmimit të drithërave. “Indeksi i Çmimit të drithërave ishte mesatarisht 252 pikë në mars dhe ka rënë 2.6 për qind në shkurt, por sërish është 60 për qind më i lartë se marsi i vitit 2010. Marsi ishte ekstremist i ndryshueshëm për drithërat, me çmime që fillimisht ranë ndjeshëm dhe më pas u rritën shumë nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, si rritja e pasigurisë ekonomike dhe problemet në Afrikën e Jugut dhe disa pjesë të Lindjes së afërt apo tërmetit në Japoni”, thuhet në deklaratën e FAO-s. Ndërkohë, nga ana e ekspertëve të kësaj organizate theksohet se pavarësisht përpjekjeve për të rritur prodhimin e drithit në 2011, përdorimi i lartë nuk do të mund të ngushtojë hendekun që ekziston çka përkthehet se çmimet e drithit do të mbeten të larta si gjatë 2011-s ashtu edhe gjatë 2012-s.
90 LEKE tregtohet aktualisht nëpër furrat e kryeqytetit një bukë 750 gram, që është edhe buka standarde që konsumohet më shumë nga familjarët. Rritja e çmimit të bukës filloi gjatë vitit 2010, kur nga 60 lekë që tregtohej, ajo u bë 70 lekë dhe më pas 80 lekë. Një pjesë e mirë e furrave ruajtën këtë nivel çmimi, duke abuzuar shpesh me gramaturën e bukës, por gjithsesi në përgjithësi çmimi ishte 80 lekë. Tashmë ka filluar një valë e re rritjeje çmimi, ku një pjesë e mirë e furrave e kanë bërë çmimin 90 lekë.
Konkurrenca, hetim tregut të drithërave dhe bukës
Autoriteti i Konkurrencës prej vitesh ka kthyer në rutinë të monitorimit dhe shpesh edhe të hetimit, tregun e importit të grurit apo prodhimit dhe shitjes së bukës. Gjatë vitit 2010 Autoriteti i Konkurrencës reagoi menjëherë pas rritjes së çmimit të bukës nga furrat në vend. Ndërkaq, sot pritet që autoriteti të dalë në një konferencë lidhur me ndalimin e marrëveshjes në tregun e prodhimit të bukës në qytetin e Vlorës.
© Panorama.al











