Ligji për barazinë gjinore, i miratuar para disa ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, ka ngjallur debate të shumta, pasi ngërthen brenda tij kundërthënie të forta ligjore dhe morale. Në fakt, Evropa së cilës i përkasim, ka zhvilluar prej një kohe të gjatë një debat të madh mbi marrëdhënien ndërmjet ligjit civil dhe ligjit moral dhe ky debat është thelbësor për demokracinë dhe vetë ekzistenca e këtij debati në mjediset sociale, kulturore e politike në Shqipëri dëshmon pjekuri demokratike. Modeli demokratik i sotëm i demokracive liberale dëshmon se jo çdo sferë morale mbulohet me një ligj, pasi kjo do të na çonte drejt një shteti etik, që për natyrën e tij nuk është demokratik. Pra, morali kurrë nuk mund të përputhet krejtësisht me ligjin, sepse jo çdo normë morale duhet të ketë një normë ligjore që e shoqëron. Shfaqje e sotme e një shteti etik konsiderohet sheriati në disa prej vendeve islame.
Përvoja në fushën sociale, në mësimdhënien e lëndës së Etikës dhe detyra si zëvendësministër i Çështjeve Sociale më nxitën në analizën e ligjit në fjalë me një përpjekje vullnetmirë për ta përmirësuar këtë ligj që prek argumente tejet të ndjeshme.
Si premisë fillestare do të doja të sqaroja një element gjuhësor e logjik: Termi “barazi gjinore” është i pasaktë si i tillë, pasi gjinitë janë të ndryshme në thelbin e tyre biologjikisht apo nga ana kulturore, e kështu nuk mund të jenë të barabarta; barazia duhet shprehur si mundësi qasjeje e barabartë ndaj të mirës së përbashkët dhe shërbimeve që shteti ofron për qytetarët. Pra, do të preferoja termin “barazi në mundësi për gjinitë” kundrejt “barazi gjinore”.
Risitë më pozitive që ky ligj sjell kanë të bëjnë ngritjen e një barriere të fortë institucionale kundër diskriminimit të grave dhe personave me orientim të ndryshëm seksual. Sa i takon mbështetjes së grave, veçoj si tejet të rëndësishëm nenin 32, i cili përcakton vlerësimin e punës së papaguar nga burrat dhe gratë që kujdesen për fëmijët dhe për punën në fshat. Ligji krijon hapësira që të rishikohet legjislacioni në fuqi në mënyrë që kontratat e punës të zbatohen në bazë të nevojave që familjet mund të kenë në periudhat e përkujdesjes për fëmijët, për personat me aftësi të kufizuara apo për të moshuarit që nuk janë të vetëmjaftueshëm fizikisht.
Gjithashtu neni 34 i ligjit krijon kushtet e përshtatshme për krijimin e një kulture të re të barazisë në të drejta mes burrave e grave. Kreu VI i ligjit, përkatësisht nga neni 33 deri në nenin 44, e shtrin hapësirën për mundësi e qasje të barabarta mes dy gjinive në të gjitha fushat e jetës, të punës, artit, kulturës, sigurisë dhe sportit.
Neni 47 sjell risinë tjetër të dënimit me gjoba në rastet e shkeljeve të këtij ligji përsa i përket objektivit kryesor të tij mbi barazinë e qasjes së gjinive në shërbime e përftime tek e mira e përbashkët. Një risi tjetër lidhet edhe me tema delikate që prek ligji sa u përket personave me orientim seksual të ndryshëm nga ai natyror. E vlerësoj pozitiv shtimin e vëmendjes për këta persona e për kushtet shpeshherë diskriminuese ndaj tyre për shkaqe nga më të ndryshmet. Mirëpo, bash në këtë aspekt të ligjit fillojnë edhe problematikat e tij. Ndjeshmëria ndaj diskriminimit të personave me orientim seksual të ndryshëm nga ai natyror (në ligj përshkruhen me termin e paqartë “përkatësi e shumëfishtë”), kërkon edhe një zgjidhje në mbrojtje të dinjitetit të tyre, por njëherësh mbi një ekuilibër me vlerat themeluese e themelore mbi të cilat një shoqëri mbështetet.
Problematika e parë lidhet me paqartësinë e termave të ligjit që përshkruhen në nenin 4. Gjuha e përdorur shpreh hera-herës rrëmujë konceptuale dhe paqartësi. Tek shkronja “f” e këtij neni, termi “gjini” nënkupton: “rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat”. Një përkufizim i tillë është produkt i një rryme kulturore neomarksiste që e ka zanafillën pas Luftës së Dytë Botërore e që përpiqet të mohojë rëndësinë thelbësore të seksit biologjik në përcaktimin e gjinisë duke i dhënë përparësi absolute faktorëve socialë, kulturorë, subjektivë në përkufizimin e gjinisë. Duke qenë se ky përkufizim i përket një rryme të caktuar kulturore, do të ishte e udhës të shoqërohej edhe me interpretime të tjera që përfaqësojnë rrymat e tjera kulturore, sidomos ajo personaliste, e cila e sheh gjininë direkt të ndërvarur pashmangshmërisht nga seksi biologjik. Pra, duke qenë në një terren kulturor pluralist, ligjvënësit duhet t’u referohen disa rrymave kulturore dhe jo vetëm njërës prej tyre.
Po në shkronjën “f” të nenit 4, përkufizimi i termit “përkatësi e shumëfishtë” është krejt i paqartë: “ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Duket sikur ligji ka një qëllim që e paraqet me drojë dhe me njëfarë kurthi. Nga njëra anë përdoret termi “gjini” duke iu referuar termave “burrë” e “grua” dhe pastaj del termi “përkatësi e shumëfishtë”. Kjo tendencë e përfshirjes së këtyre termave është pasojë e një kulture të përhapur nga teoria Gender. Kjo teori bazohet mbi idenë se dallimi gjinor, mashkull apo femër, në kuptimin e përkatësisë së njërës apo tjetrës gjini, nuk bazohet në dallimet e natyrës biologjike apo fizike, por mbi elemente të natyrës sociale, kulturore dhe nga mënyra e sjelljes. Kjo teori, që tashmë ka marrë trajtën e dallueshme të ideologjisë, kërkon pareshtur që ta lirojë gjuhën institucionale nga termat, sipas saj, të dhunshme, si “burrë”, “grua”, “baba”, “nënë”, “nuse”, “dhëndër”, “martesë” apo “familje”. Këta terma janë të dhunshëm sipas kësaj ideologjie, pasi – sipas saj – e kufizojnë orientimin e dëshirave dhe ndjesive seksuale të individit. Në literaturën e kësaj ideologjie flitet shpesh për “individ” dhe rrallë e pak për “person”. Nëse do të kërkonim një periudhë historike për lindjen zyrtare të kësaj ideologjie, mund të përmendim Konferencën e Pekinit të vitit 1995, ku u propozuan për herë të parë pesë gjini njerëzore për të “tejkaluar” dualizmin tradicional mashkull–femër. Në atë konferencë u propozuan për herë të parë pesë gjini që do të përcaktonin natyrën seksuale të individit: heteroseksual mashkullor, heteroseksuale femërore, homoseksual mashkullor, homoseksuale femërore dhe biseksual. Qëllimi ishte tejkalimi i modelit bazë burrë–grua. Qartazi ligji bie në kurthin e ideologjisë “Gender”, me dashje ose pa dashje.
Problematika e dytë ka natyrë ligjore dhe ndjeshmëri të fortë morale. I referohem nenit 6 ku përshkruhet ndalimi i diskriminimit për shkak të gjinisë. Pasazhi: “Çdo trajtim më pak i favorshëm i një personi për shkak të gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes së identitetit gjinor ose karakteristikave të seksit, në krahasim me trajtimin që i bëhet, i është bërë ose do t’i bëhej një personi të gjinisë tjetër, në një situatë të njëjtë ose të ngjashme, përbën diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të gjinisë dhe ndalohet”, bie në kundërshtim me nenin 7 të Kodit të Familjes ku sanksionohet se martesa mund të lidhet mes një burri e një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Nëse dy persona me përkatësi të “shumëfishtë” apo të së njëjtës gjini do të kërkonin martesë në gjendje civile, atyre nuk mund t’u ndalohet kjo gjë në bazë të nenit 6 të ligjit të ri “Për barazinë gjinore” pasi ky nen ndalon me ligj çdo trajtim më “pak i favorshëm” për shkak të ligjit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mundësinë e birësimit të fëmijëve. Mbi këtë ligj duhet një debat akoma më i gjerë akademik e publik me natyrë filozofike dhe antropologjike, në mënyrë që Komisioni i Ligjeve në Kuvend të përthithë krejt përmasën dhe ndikimin social e kulturor që mund të ketë ky ligj mbi familjen. Shqipëria është në prag të hyrjes në familjen evropiane, por nuk duhet të biem pre “modës” që çdo gjë që vjen prej Perëndimit duhet mirëpritur pa një qëndrim kritik. Pre e kësaj mendësie mund të jenë grupe të caktuara mendimi, por çështja bëhet serioze kur ndonjë institucion bie nën ndikimin ideologjik të teorisë së Gender-it. Çdo institucion që ka përgjegjësi për mbrojtjen dhe mbështetjen e familjes tradicionale duhet domosdoshmërish të punojë për të mirën e familjes dhe të mos përfshihet në qerthullin e lojërave dramatike me këtë qelizë themelore dhe të pazëvendësueshme të shoqërisë. Si konkluzion, mendoj që ligji të kthehet sërish në Kuvend dhe do të ishte mirë të bëhet një ligj posaçërisht për personat me orientim seksual të ndryshëm e të mos përfshihet diskriminimi i tyre me diskriminimin e grave, pasi krijohet rrëmujë konceptuale e ligjore. Besoj se personat me orientim seksual të ndryshëm kanë dinjitet të barabartë me çdo qytetar tjetër dhe mbrojtja e tyre nga diskriminimi ka rëndësi thelbësore në një shoqëri demokratike, por njëherazi duhet vënë caku i moscenimit të familjes natyrore, pasi ajo është baza ku mbështetet një shoqëri e denjë./ Gazeta Panorama
© Panorama.al












