Bisedimet për largimin e Laurent Gbagbo, ish-lideri i Bregut të Fildishtë, kanë përfunduar pa sukses dhe forcat besnike të Presidentit të zgjedhur, Alasan Ouatara, kanë rinisur sulmet e tyre kundër milicisë pro-Gbagbos. Kështu u shpreh dje ministri i Jashtëm francez, Alain Jupe, i cili mori pjesë në bisedimet për largimin e ish-presidentit. Gbagbo pranoi të hynte në bisedime, pasi forcat franceze dhe ato amerikane shkatërruan pjesën më të madhe të armëve të tij të rënda. 65-vjeçari është mbyllur në një bunker në rezidencën e tij, e cila është rrethuar nga forcat republikane të Ouataras. Të shtënat kanë vazhduar gjithë ditën. Forcat republikane në Bregun e Fildishtë kanë nisur një ofensivë javën e kaluar, pas katër muajsh gjendjeje pezull, që nga zgjedhjet presidenciale të 28 nëntorit 2010. Gbagbo nuk i ka pranuar rezultatet, të cilat i jepnin fitoren Ouataras. OKB, SHBA, Unioni Afrikan dhe Bashkimi Europian kanë njohur Ouataran si fitues.











