Regjistrimi i 8 kandidatëve në Fier, debat mes KQZ dhe PS

Apr 6, 2011 | 10:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot për një kërkesë ankimore të PS-së, kandidatët e së cilës nuk janë regjistruar në KZAZ-në Nr. 19 me pretendimin se kanë ardhur pas afatit të parashikuar në Kodin Zgjedhor. KZAZ-ja Nr. 19 është pjesë e qarkut të Fierit dhe përfshin bashkitë Patos, Roskovec si dhe 6 komuna. Sipas përfaqësuesit ligjor të PS-së, Ilirjan Saliani, dokumentacioni është dërguar në KZAZ 20 minuta përpara se të mbaronte afati, gjë që u hodh poshtë nga kryetari i komisionit zonal. “Ne kemi qëndruar në punën tonë, në kryerjen e detyrimit tonë deri në orën 00:10, kemi kaluar 10 minuta nga data 29. Në orën 23:55 kam raportuar në KQZ, pasi na është kërkuar informacion për subjektet e regjistruara. Në orën 12:10 kam raportuar sërish në KQZ. S’është e vërtetë që ne kemi ikur përpara orës 11:40″, tha kreu i KZAZ-së, Viktor Mesutaj. Ndërsa përfaqësuesi tjetër ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, i bëri thirrje KQZ-së të bëjë kujdes me këtë vendim dhe të regjistrojë 8 kandidatët e koalicionit opozitar. “Kjo vendimmarrje është shumë e rëndësishme sa i takon të ardhmes së zgjedhjeve të 8 majit. Përjashtimi nga gara e një formacioni politik, siç është Aleanca për të Ardhmen, është një veprim i cili do të sillte gjëra të pariparueshme në procesin e ardhshëm të 8 majit”, tha Gjonçaj. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Ristani, u përgjigj duke thënë se “jemi të keqardhur që PS-ja i pengon anëtarët e KQZ-së të vijnë në mbledhjet e Komisionit, jam shumë i keqardhur që nuk sollët propozimet të ngremë komisionet e nivelit të dytë dhe sikur të mos kish ndërhyrë KQZ-ja, do t’i kishit hequr mundësinë kushtetuese për t’u zgjedhur shtetasve shqiptarë”. Mbledhja u shty për pasditen e djeshme, ku u pa një video në të cilën përfaqësuesit e opozitës tregonin se dera e KZAZ-së më 28 mars ishte e mbyllur. Pas debateve në mbledhje, kreu i KQZ-së vendosi që vendimi për këtë çështje të merret ditën e sotme.

8 njësi
KZAZ-ja Nr. 19 i përket qarkut Fier dhe në të përfshihen bashkitë Patos e Roskovec, si dhe komunat Portëz, Zharrëz, Kuman, Sturm, Kurjan dhe Ruzhdie.

Debatet në KQZ

Ilirjan Saliani (Përfaqësues ligjor i PS): KZAZ-ja Nr. 19 nuk i ka regjistruar kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, si dhe listën e këshilltarëve, me arsyetimin se ka kaluar afati ligjor, data 28 mars 2011, ora 24:00. Ka fakte që dokumentacioni është paraqitur në orën 23:40 të datës 28.3.2011, pranë kësaj KZAZ-je, dhe jo pas orës 24:00, siç pretendohet.
Viktor Mesutaj (kryetar i KZAZ-së Nr. 19): Ne kemi qëndruar në punën tonë, në kryerjen e detyrimit tonë deri në orën 00.10, kemi kaluar 10 minuta nga data 29. Në orën 23:55 kam raportuar në KQZ, pasi na është kërkuar informacion për subjektet e regjistruara. Në orën 12:10 kam raportuar sërish në KQZ. S’është e vërtetë që ne kemi ikur përpara orës 11:40.
Genc Gjonçaj: Kjo vendimmarrje është shumë e rëndësishme sa i takon të ardhmes së zgjedhjeve të 8 majit. Përjashtimi nga gara e një formacioni politik, siç është Aleanca për të Ardhmen, është një veprim, i cili do të sillte gjëra të pariparueshme në procesin e ardhshëm të 8 majit.
Arben Ristani: Jemi të keqardhur që PS-ja i pengon anëtarët e KQZ-së të vijnë në mbledhjet e Komisionit. Jam shumë i keqardhur që nuk sollët propozimet të ngremë komisionet e nivelit të dytë dhe sikur të mos kish ndërhyrë KQZ-ja, do t’i kishit hequr mundësinë kushtetuese për t’u zgjedhur shtetasve shqiptarë.

© Panorama.al

Te lidhura