LAÇ – Përfaqësuesit e aleancës “Kuq e Zi”, mbërritën dje në Laç, ku ftuan qindra besimtarë që ngjiteshin në Kishën e Shën Ndout, të nënshkruajnë peticionin kundër regjistrimit të popullatës mbi baza etnike dhe feje. Numri i besimtarëve, të cilët kanë nënshkruar këtë peticion, ka qenë shumë i madh. “Pelegrinët kanë treguar një interes të madh për të firmosur këtë peticion”, janë shprehur përfaqësuesit e aleancës “Kuq e Zi”. Ashtu sikurse herët e tjera, çdo nënshkrues ka qenë i pajisur me kartë identiteti për të pasur një peticioni sa më të rregullt. Sipas përfaqësuesve të kësaj aleance, do të vijojë mbledhja e firmave edhe nëpër qytete apo fshatra të Shqipërisë, që më parë nuk kanë vajtur. Ata i bënë thirrje qytetarëve të firmosin peticionin për të mbrojtur harmoninë fetare dhe etnike në vend. Përfaqësuesit e aleancës u shprehën më pas se pas mbledhjes së firmave, peticioni do t’i paraqitet Parlamentit me kërkesën për ndryshimin e ligjit për gjendjen civile. Në Laç, përfaqësuesit e kësaj Aleance kanë qëndruar nga ora 9.30 – 11.00 të ditës së djeshme. Ata kanë “preferuar” vetëm firmat e pelegrinëve, ndërsa nuk janë ndaluar brenda në qytet. Më parë ata kanë marrë firmat e mijëra qytetarëve në Vlorë, Durrës, Fier, Elbasan, Korçë, Fushë-Krujë etj. Ndonëse 20 mijë firma janë të mjaftueshme për nismën e ndryshimit të ligjit për gjendjen civile, deri më tani janë mbledh 50 mijë firma dhe pritet që kjo shifër të vijë në rritje me nismën që do të bëhet edhe në qytete të tjera. r.n











