
Negociatat mes negociatorëve të dy partive kryesore, PD-PS, kanë ngecur pa asnjë zhvillim. Shkak duket se janë bërë qëndrimet e kundërta që palët mbajnë për ndërhyrjet që duhen bërë për të përmirësuar kuadrin ligjor për zgjedhjet. Ndërsa socialistët u kanë dhënë homologëve të tyre disa propozime, lidhur me modalitet për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, demokratët shohin si terren të mundshëm ku mund të punohet për kodin e ri vetëm rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 2009 dhe të 2011. Kjo është pika që mban larg të dyja palët për t’u ulur dhe nisur nga puna për reformën zgjedhore. Selia rozë ka bërë të qartë tashmë se duhet riparë sistemi zgjedhor, ku pritet të kërkohet korrektim i sistemit proporcional rajonal në rajonal kombëtar ose në një rindarje të vendit në 6 ose 4 qarqe të mëdha, me peshë të barabartë specifike të votës. Gjithashtu, socialistët kanë kërkuar një rikompozim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilin përfshihet dhe një anëtar, që duhet të vijë nga Presidenti. Mbi këto propozime të hedhura si nga përfaqësues të PS, ashtu dhe nga aleatët e saj, duket se do të ndërtohet platforma e socialistëve në komisionin e reformës zgjedhore, ndërsa një gjë e tillë ende nuk ka gjetur dakordësinë e demokratëve. Qëndrimin e selisë blu rreth reformës zgjedhore e ka bërë publik dhe vetë Kryeministri Berisha, gjatë një interviste televizive pak ditë më parë. Sipas tij, program pune për reformën zgjedhore do të jenë rekomandimet e misioneve të monitorimit të zgjedhjeve. “Reforma për zgjedhjet e vitit 2009 u krye në kohën më optimale dhe unë besoj se edhe kjo reformë i ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohën më optimale. Nuk shoh asnjë arsye, sepse tani forcat politike kanë një program pune, i cili do të bazohet i tëri në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm t’i adresojmë ato. Një pjesë e tyre kërkojnë ndërhyrje ligjore, pjesa tjetër kërkon ndërhyrje të qeverisë, të ministrive dhe të KQZ-së. Jemi dakord që të gjitha të jenë objekt i diskutimit në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore”, u shpreh Berisha pak ditë më parë. Duke shprehur qartë qëndrimin e maxhorancës ndaj qëndrimit të opozitës, Kryeministri nuk trajton në asnjë rast opsionin e prekjes së Kushtetutës, me qëllim arritjen e një reforme të plotë zgjedhore, që do të përfshinte sistemin zgjedhor. Pak ditë më parë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, drekoi me negociatorët e dy partive, Damian Gjiknuri të Partisë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi të Partisë Demokratike. Edhe pse asnjë palë nuk dha detaje apo informacion rreth bisedës së zhvilluar gjatë kësaj dreke me sfond reformën zgjedhore, pritet që sytë e të dy palëve të jenë drejtuar për nga “Sheraton-i”, aty ku ndodhet dhe selia e prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Tahiri: Kriza në dorë të PD-së
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, në një intervistë për “AS” tha dje se opozita pret përgjigjen për 10 pikat e ofruara vetë nga Kryeministri i vendit, i cili, shton ai, nuk mund të injorojë propozimet e opozitës, të cilat kanë marrë mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë. “Kryeministri nuk mund të jetë peng i zullumqarëve të tij, duke mbajtur njëkohësisht peng qytetarët dhe integrimin e vendit. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ndaj, kemi bërë një propozim, i cili ka gjetur mbështetjen dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, kam këtu parasysh dhe ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesin e OSBE. Është mirë që Kryeministri t’i përgjigjet thirrjes për dialog nëpërmjet këtyre 10 pikave, të cilat nuk ndajnë pushtet, por ndërtojnë shtet”, u shpreh Tahiri. Nëse opozita mban ose jo përgjegjësi për një refuzim të mundshëm të statusit të vendit kandidat, Tahiri tha se kjo pyetje duhet t’i adresohet maxhorancës. “Janë ata që qeverisin dhe jemi ne që jemi të detyruar, populli na ka votuar që t’u kthejmë pasqyrën që të shohin veten dhe të bëjmë opozitë. Nga ana tjetër, të ofrojmë alternativën tonë qeverisëse.
Aleatët: Të jemi pjesë e reformës
Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë të jenë pjesë e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Nisur dhe nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por dhe të kreut të këtij Misioni, Xhonatan Stonstrit, reforma zgjedhore duhet të përfshijë si partitë parlamentare, ashtu dhe ato jashtë Parlamentit. Aleatët e PS-së e shohin këtë pikë shumë të rëndësishme, pasi siç shprehen ata, reforma aktuale e hartuar dhe miratuar nga dy partitë kryesore, PD-PS, vetëm dëmtoi demokracinë dhe zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore të mos jetë bipartizan, sepse produkti do të jetë i njëjtë me atë të 2008-s. Duhet të jetë një komision me parti parlamentare dhe joparlamentare, me partitë kryesore sipas rezultatit të fundit zgjedhor. Nuk do të pranojmë që të përfaqësohemi në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore nga Partia Socialiste. Kërkojmë të jemi pjesë e këtij komisioni dhe me të drejtë vote, u shpreh Paskal Milo.
Apeli i Kryeministrit
Kreu i qeverisë ka apeluar për vullnetin politik të opozitës për të mos bllokuar punën për reformat. “Ne mirëpresim propozimin e saj për të nisur punën për komisionin dhe ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore dhe për të filluar punën. Mirëpresim kërkesën e opozitës, nëse nuk ka qëllim bllokuese për të diskutuar në komisionet parlamentare, ligjet e propozuara nga qeveria. Urojmë të mos jetë taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë ditëve dhe javëve që vijnë”, është shprehur Berisha.
Lajçak: Të fillojë ndryshimi i Kodit Elektoral
Drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Mirosllav Lajçak, u shpreh dje se pengesë për realizimin e asaj që priten nga Bashkimi Europian janë bërë problemet e brendshme, si ngërçi politik dhe mungesa e kompromisit për integrimin europian. “Ky vit nuk ka qenë i lehtë për Shqipërinë. Mund të ishte bërë më shumë nga ç`është bërë deri tani. Sepse ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria nuk ka probleme për sa i përket integritetit territorial, gjuhës apo emrit të saj. Mirëpo vendin e pengojnë problemet e brendshme që i krijon vetë”, u shpreh Lajçak. Ai ftoi politikën shqiptare të fillojë menjëherë punën për reformën zgjedhore. “Të fillojë sa më parë ndryshimi i Kodit Elektoral sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, në mënyrë që të shmangen situatat, si në zgjedhjet e fundit parlamentare apo lokale. Në fakt, nuk ka asgjë të re, politikanet tuaj e dinë shumë mirë se çfarë pritet për t’u bërë”, u shpreh Lajçak.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











