Reforma në drejtësi, Mekneli:Zotimet i bëni vepra

Mar 25, 2011 | 10:46

TIRANË- Realizimi i reformës në gjyqësor, kthimi i besimit të qytetarëve te drejtësia dhe përmbushja e kritereve të KE në kuadër të integrimit të vendit, kanë qenë temat kryesore të takimit mes kreut të Shtetit Bamir Topi dhe Ministrit të Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom Mekneli.

Mekneli, duke vlerësuar arritjet e bëra në Shqipëri në fushën e drejtësisë ka theksuar nevojën e kalimit nga zotimet në vepra konkrete përsa i përket reformës në gjyqësor. “Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë krahëve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura demokratike si dhe për vazhdimin e suksesshëm të reformat jetike për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane”- thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërkohë, presidenti Topi theksoi nevojën që vullnetet politike duhet të shprehen qartë dhe në vazhdimësi për përparimin dhe zbatimin e plotë e të suksesshëm të reformës në gjyqësor. “Arritja e këtij objektivi madhor, e shoqëruar me transparencë të plotë do të rikthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, – tha Topi.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplote e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fiona Mekuilam.

© Panorama.al

Te lidhura