Redon Makashi bën start të ri në muzikë me një album

Apr 16, 2011 | 14:44

Nuk është nga këngëtarët që rend të realizojë klipe shpesh, siç ndodh pothuaj me të gjithë këngëtarët e brezit të tij. Por ka vendosur që të dalë fuqishëm me një album me këngë të reja dhe tri klipe. Nuk dihen ende detaje për titujt dhe muzikën, por tashmë ai i ka përfunduar dhe do i publikojë së shpejti. Ai është një këngëtar profesionist, që nuk e quan veten këngëtar pubesh, edhe pse kohët e fundit këndon çdo fundjavë me Aleksandër Gjokën, në disa lokale të ndryshme nate në kryeqytet. Pas mbylljes së pub-it “Musketierët”, dy këngëtarët e njohur shihen të shoqërohen gjithnjë e më shumë bashkë. E padeklaruar nga ana e tij mbetet marrëdhënia me femrat. Sezonin e kaluar Redon Makashi ishte i ftuar në “E diela shqiptare” dhe në rrëfimin e tij për jetën si këngëtar nuk përmendi asnjë femër që bën pjesë në jetën e tij. Synimi i tij është më shumë të japë koncerte në Shqipëri e vende të ndryshme duke mos iu dedikuar realizimeve të shpeshta të klipeve të reja, siç bëjnë shumë këngëtarë. Tri vite më parë Redoni publikoi klipin e tij të parë, një nga këngët e tij fituese të koncertit të pranverës “Këngët e Stinës”. Edhe pse i këndon dashurisë, për sa i përket statusit prej beqari, Redoni vazhdon të shijojë lirinë. Pavarësisht komenteve për jetën e tij private, ai asnjëherë nuk ka pranuar të flasë hapur në media për të apo të përmendë emra konkretë se me kë shoqërohet.

© Panorama.al

Te lidhura