Rebelët shënojnë “fitoren” më të madhe në Misrata

Apr 21, 2011 | 9:28

Rebelët e vendosur në Misrata kanë deklaruar se kanë vrarë dje rreth 50 luftëtarë të Gedafit dhe kanë arritur të marrin 14 kamionë me municione, duke shënuar fitoren më të madhe të tyre, qëkur nisi konflikti në këtë qytet. Vetëm një ditë më parë forcat e Gedafit kanë njoftuar se arritën të hyjnë në këtë qytet, por rebelët e morën sërish situatën në dorë. Ndërkohë përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Të vetmet vende të BE-së qe e kanë njohur qeverinë e rebelëve në Libi si qeverinë zyrtare të këtij vendi, Franca dhe Italia, kanë deklaruar se do të dërgojnë grupe “këshilltarësh ushtarakë” për rebelët libianë, në përpjekjet për të rrëzuar Gedafin. Pala franceze ka njoftuar se mund të dërgojnë më pak se 10 grupe, ndërsa ajo italiane do të dërgojë pikërisht 10 grupe. Vendimi i tyre pasoi atë të një dite më parë të Britanisë së Madhe, e cila dërgoi këshilltarët e saj në Benghazi. OKB-ja beson se përdorimi i bombave thërrmuese nga regjimi i Gedafit mund të vlerësohet si krim ndërkombëtar. Sipas komisionarit të OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillaj, ka të dhëna që flasin për snajper që qëllojnë ndaj civilëve në Misrata. Ndërkohë Presidenti amerikan, Barak Obama, ka njoftuar Kongresin amerikan se ka ndërmend t’u dërgojë rebelëve në Libi ndihma ushtarake me një vlerë prej 25 milionë dollarësh. Sipas Obamës, çështja është urgjente, në mbështetje të përpjekjeve për të mbrojtur civilët.

© Panorama.al

Te lidhura