Ka mjaftuar një deklaratë e Ibrës se te Milani ai nuk argëtohet më duke luajtur futboll, për të sjellë interesimin e Realit për sulmuesin. Suedezi, i cili më parë ka luajtur me Malmon, Ajaksin, Juventusin, Interin, Barcelonën dhe dy sezonet e fundit te kuqezinjtë, është i hapur që kurrikulumit të tij t’i shtojë edhe gjigantët spanjollë të Madridit. Nga Spanja mësohet se Murinjo i ka kërkuar Perezit ta marrë 30-vjeçarin në “Santiago Bernabeu” për t’u ribashkuar edhe një herë pas aventurës me zikaltrit e Interit. Dëshira e futbollistit për t’u rikthyer nën urdhrat e “Special One” është shprehur dhe gjatë një interviste të tij shkurtin e shkuar, në të cilën Zlatan pranoi se për Zhoze Murinjon ai ishte gati të vriste. “Do ta bëja për motivimin që më ka dhënë dhe mënyrën se si më ka stimuluar. Nëse nuk ke një person që të të motivojë, atëherë nuk mund të luftosh në fushë. Prandaj, janë edhe trajnerët”, u shpreh Ibra për teknikun luzitan. Oferta e Perezit pritet të mbërrijë në tavolinën e Berluskonit që në janar. Murinjo i ka dhënë garanci numrit një të “galaktikëve” se një tjetër sulmues në radhët e Realit nuk do të ishte i tepërt (pritet të bashkohet nga Santosi dhe Nejmar). Portugezi do të sakrifikonte një mes Higuainit dhe Benzemasë, të cilët duhet të qëndrojnë gati me valixhet në dorë. Francezi, i cili në fillim të sezonit ishte një titullar i padiskutueshëm, (ndoshta dhe për shkak të dëmtimit të fundit) është ulur sërish në stol gjatë ndeshjeve të fundit. Murinjo ia ka besuar sërish numrin “9” sulmuesit Gonzalo Higuain. Argjentinasi ka qenë titullar në 3 ndeshjet e fundit dhe për momentin është imun për një largim të mundshëm në janar. Ibra përfiton 10 milionë euro në sezon në “San Siro” dhe Perez nuk do të kishte asnjë problem t’ia siguronte një rrogë të tillë vetëm për t’i kënaqur egon Murinjos. Suedezi do të shndërrohej kështu në “galaktikun” e tretë më të paguar te Reali (Kristiano Ronaldo dhe Kaka përfitojnë të njëjtën pagë vjetore).
Sakaq, Milani shpreson që të ketë në dispozicion Ibrahimoviçin që sot, për ta përgatitur më mirë ndeshjen e së shtunës në kampionat kundër Palermos. Kampionët do të kërkojnë që të rikthehen te fitorja në “San Siro” për të mos humbur kontaktin me kreun pas humbjes me Juven në javën e fundit. Sulmuesi suedez është ndëshkuar me karton të verdhë gjatë ndeshjes së Kombëtares kundër Finlandës dhe do të mungojnë në supersfidën me Holandën këtë të martë. “Ne shpresojmë që Ibra të jetë në dispozicion të skuadrës më herët se parashikimet. Unë besoj se do të vijë të hënën, por këtë e vendos trajneri i Suedisë”, tha administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani.
Milani, 15 mln euro për Damiaon
Në planet e Milanit për merkaton e janarit është përfshirë dhe talenti i Internacionalit, Leandro Damiao. Drejtuesit e 18 herë kampionëve të Italisë janë impresionuar nga forma që po tregon lojtari me skuadrën braziliane. Klubi nga “Via Turati” do të rivalizojë me ekipet më të zë të Europës për ta marrë në “San Siro” Damiaon që në janar. Kartoni i tij kushton 15 milionë euro, ndërsa futbollisti do të ketë të gjithë kohën e mjaftueshme për t’i diskutuar ofertat europiane, sepse kampionati brazilian në këtë kohë do të ketë përfunduar. Sulmi i Milanit ka qenë pothuajse në raste të rralla në 100%, për shkak të dëmtimeve të Patos Robinjos, por edhe Kasanos.











