Përveç emocioneve që do të sjellë futbolli spanjoll gjatë 4 përballjeve të “El Clasico”, publiciteti në anën tjetër të botës pritet të jetë i jashtëzakonshëm, ndërsa ndeshja do të arrijë shifra historike shikueshmërie. Të katërta këto ndeshje parashikohet të arrijnë një audiencë në total prej 350 milionë personash në të gjithë globin. Vetëm supersfida e sotme pritet të tërheqë 78 milionë shikues. Ajo e Kupës së Mbretit 77 milionë. Ndërkohë që, me Championsin shikuesit do të rriten sërish, duke arritur shifrën rekord me 100 milionë. Kjo për shkak se Liga e Kampioneve mbetet dhe kompeticioni më i rëndësishëm sot për sot.
Për të paktën një muaj, projektorët e futbollit spanjoll do të ndizen mbi 4 “El Clasico”-t për t’u fikur në fund të prillit. Kujtimi më i freskët i 209-të ndeshjeve të deritanishme na çon tek “Manita” e famshme, 5 golat që Barcelona i shënoi Realit në 29 nëntor 2010, kur djemtë e Guardiolës kapitulluan pa kushte madrilenët e Murinjos dhe Kristiano Ronaldos. Ndeshja e parë daton më 13 maj 1902, kur katalanasit vendosnin hegjemoninë brenda në Madrid me rezultatin 1-3. Real-Barcelona nuk është vetëm një ndeshje futbolli mes dy skuadrave që mbajnë tituj të pafundmë në vitrinat e historisë dhe përfaqësuesja e të cilave është kampionia në fuqi e botës. Nuk është as një sfidë mes dy filozofive të ndryshme. Është një klasike që nuk i shpëton dot kontureve politike, sepse këto dy skuadra përfaqësojnë dy rajone të ndryshme të Spanjës, Katalanjën dhe Kastijën.
Dy oktapodët vendosin “1X”
Janë treguar me të vërtetë të guximshëm dy oktapodët spanjollë që tentuan të parashikojnë rezultatin e ndeshjes. Të pagëzuar me emrin Iker dhe Iniesta, ata kanë vendosur njëri barazim dhe tjetri fitoren e madrilenëve. Iniesta, oktapodi me origjinë nga deti Mesdhe vendosi të hajë sardelet që ishin në kutinë me flamurin e Realit të Madridit. Ndërkohë që Ikeri, oktapodi me origjinë nga Oqeani Paqësor vendosi për X, pasi nuk shkoi te asnjëra kuti.
Pep do fitoren e 6-të radhazi
Ndërsa më 29 nëntorin e shkuar vendosi një rekord pas fitores 5-0 ndaj rivalëve të përjetshëm, Guardiola arriti fitoren e 5-të radhazi në ndeshjet e “El Clasico”-s. E nëse edhe ditën e sotme do të arrijë të drejtoj Barcelonën drejt një tjetër triumfi, 40-vjeçari do të hyjë në historinë e futbollit spanjoll, si trajneri i dytë që fiton 6 ndeshje radhazi në këtë derbi. Deri më sot vetëm Migel Munjoz, trajneri i Realit, ka arritur të fitojë 6 “El Clasico”.
© Panorama.al











