Raportoi lajmin zyrtar, dhunohet gazetari i “Panoramës” në Berat

Apr 13, 2011 | 13:43

BERAT – Dhunohet gazetari i “Panoramës”, pasi publikoi në gazetë arrestimin e një personi për vjedhje. Duke iu referuar komunikatës për shtyp të shpërndarë zyrtarisht nga Policia e qarkut të Beratit, gazetari Dilaver Xhelili raportoi dy ditë më parë lajmin e prangosjes së shtetasit Rexhino Pepa. Ai u kap në flagrancë më 9 prill, rreth orës 01:00, teksa në bashkëpunim me një person tjetër po vidhte një sasi kablloje telefonike në lagjen “10 Korriku” të këtij qyteti. Por, dy ditë më pas, Gjykata e Beratit i liroi të arrestuarit. Njëri prej tyre, shtetasi Rexhino Pepa, është hakmarrë në publik ndaj gazetarit të “Panoramës” vetëm se ai kishte kryer detyrën duke raportuar një lajm që policia e kishte publikuar në komunikatë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:00, kur i riu i është afruar në mënyrë agresive gazetarit, duke ushtruar dhunë ndaj tij. Ai e ka kërcënuar gazetarin për lajmin që ishte shkruar, ndonëse ky i fundit është munduar t’i shpjegojë se arrestimin e tij e kishte publikuar zyrtarisht policia dhe se ai kishte kryer vetëm detyrën. Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në mes të Beratit, policia mbërriti në vend dhe kreu arrestimin e të riut për dhunimin për shkak të detyrës të gazetarit. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Berat, duke dënuar me indinjatë dhunën fizike të ushtruar ndaj kolegut të tyre. “Pas incidentit ne ballafaquam njoftimin për shtyp të nxjerrë nga Drejtoria e Policisë së qarkut Berat. Rezultoi se gazetari Xhelili, në publikimin e lajmit i është përmbajtur njoftimit zyrtar të publikuar nga Policia e Shtetit dhe se nuk ka asnjë detaj të abuzimit që mund të rendojë pozitën e të dyshuarit për vjedhjen e kabllos telefonike në njërën prej lagjeve të qytetit të Beratit”, thuhej në njoftimin e Unionit të Gazetarëve të Beratit.

© Panorama.al

Te lidhura