Hendeku mes eksporteve dhe importeve në mars u rrit në nivele të larta, duke e çuar deficitin tregtar në vlerën 26 miliardë lekë. Sipas raportit për tregtinë e jashtme të Institutit të Statistikave, ndërprerja e eksporteve të energjisë përgjatë muajit mars ka ndikuar direkt në rënien në vlerë të tyre duke favorizuar kështu rritjen e importeve. Krahasuar me një muaj më parë, pra me shkurtin, deficiti u rrit me 47 për qind, kurse në mars 2010 10 për qind. “Në mars 2011 u eksportuan 16,9 miliardë lekë mallra, me ulje 15.4 për qind në krahasim me shkurtin 2011 dhe rritje me 16.5 për qind në krahasim me marsin 2010. U importuan 42,9 miliardë lekë mallra me rritje 13.9 për qind në krahasim me shkurtin 2011 dhe rritje 12.6 për qind në krahasim me marsin 2010”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Diferencën në uljen e eksporteve e ka bërë rënia e grupit që karakterizon lëndët e para dhe energjinë elektrike, ndërkohë që grupet e tjera kanë shënuar rritje. “Eksporti i grupit ‘Produkte kimike dhe plastike’ u rrit 42.9 për qind, ‘Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi’ u rrit 26.8 për qind, ‘Prodhime druri dhe letre’ u rrit 17.5 për qind, eksporti i grupit ‘Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’ u ul 44 për qind për qind”/ detajon INSTAT. Ndërkohë, lidhur me importet vihet re një rënie e importit të mallrave me akcizë dhe peshën më të madhe të këtyre importeve, rreth 73 për qind të totalit, e përbëjnë produkte të tilla si nafta. Në fakt, rënia e importit të mallrave të akcizës nuk saktësohet nëse është për shkak të importit më të pakët të naftës, ku në fakt pak kohë më parë vetë importuesit theksuan se ka rënë kërkesa në vend dhe për rrjedhojë edhe niveli i importimit të këtij produkti. Lidhur me partnerët kryesorë tregtarë, ata vazhdojnë të jenë vendet fqinje. “Tregtia me vendet e BE-së është 66.5 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 48.3 për qind dhe importi 29.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 4.7 për qind dhe importi 9.9 për qind”, thuhet në raport.
26 miliarde leke
ka arritur deficiti tregtar në muajin mars, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme
Te dhenat e INSTAT
Mars 2011
• Deficiti 26 miliardë lekë
U rrit me 47 për qind
• Eksportet 16,9 miliardë lekë
Ulje 15.4 për qind
• Importet 42,9 miliardë
U rritën 13.9 për qind
• Tregtia me BE 66.5 për qind
© Panorama.al











