Rambo, Ramiz, Rama

Apr 3, 2011 | 9:56

EDMOND TUPJA

Së pari, do t’i lutesha lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, të rrëmonte pak në kujtesën e tij të muzikës folklorike shqiptare. Nëse ai e bën këtë seriozisht, me siguri duhet t’i kujtohet një këngë romësh, refreni i së cilës niste në thelb kështu: “Ramo, Ramo, eja ti…”. Në mos gabofsha, bëhet fjalë për vitet e fundit të mbretërimit të stërzgjatur të diktatorit Hoxha, kur personazhi i Rambos, interpretuar nga Sylvester Stallone, po bëhej i njohur edhe për shqiptarët, ose për dy-tri vitet e para të mbretërimit të shkurtër të pinjollit të tij Ramiz Alia. Rrjedhimisht, disa e konsideruan emrin “Ramo”, në gojën e këngëtarit rom anonim, si një shtrembërim të lehtë të emrit “Rambo”, kurse disa të tjerë panë në të një shkurtim të emrit Ramiz. Gjithsesi, pavarësisht identifikimit të të ashtuquajturit “Ramo”, një miku im mendoi asokohe se refreni i këngës në fjalë ishte një thirrje për vendosjen e njëfarë drejtësie, sepse ky refren vazhdonte pak a shumë kështu: “Ramo, Ramo, eja ti/ Eja ti për me m’shpëtu’/ Policia m’ka arrestu’…”. Se për cilën polici bëhej fjalë – për atë të Enverit, apo atë të Ramizit (që në fund të fundit ishin e njëjta gjë), këtë kënga nuk e thotë.
Së dyti, nëse përpiqemi tani t’u bëjmë një analizë, sadopak objektive, këtyre dy personazheve, do të na rezultojë se i pari, Rambo, interpretuar, siç sapo e përmenda më sipër, nga Sylvester Stallone, ishte një personazh pozitiv, pra, i miri që luftonte kundër të këqijve, kurse i dyti, Ramizi, interpretuar nga vetë Ramizi, ishte një personazh negativ, pra, i keqi që luftonte kundër të mirëve, nëse lexuesi më lejon të shprehem me këta terma bardhezi.
Së treti, meqenëse në frëngjishte thuhet proverbialisht “Jamais deux sans trois” dhe në italishte “Non c’è due senza tre” (çka përkon me proverbin tonë “I treti, i vërteti”), në skenën e sotme të politikës shqiptare shfaqet dhunshëm Rama, po, po, Rama, njëherazi Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, mbiemri i të cilit është thuajse i pranishëm edhe te emri Ram-bo, edhe te emri Ram-iz. Por çështja vjen e ngatërrohet kur njeriu kërkon të përcaktojë nëse Rama është i miri që lufton kundër të këqijve, apo i keqi që lufton kundër të mirëve? Përgjigjja ime është komplekse: në vështrim të parë, Rama është i mirë për njërën palë, d.m.th. për “popullin opozitar” dhe i keq për palën tjetër, d.m.th. për “popullin pozitar”, sipas terminologjisë së tij të mbështetur në një vizion pragmatik apo, edhe më keq, ideologjik: më saktësisht, i mirë për socialistët e Gramoz Ruçit e socialdemokratët e Skënder Gjinushit, për personazhe të tillë si Nard Ndoka, Preç Zogaj e Spartak Ngjela etj., etj.; i keq për demokratët e Sali Berishës, lësëistët e Ilir Metës, republikanët e Sabri Godos, monarkistët e Spahisë etj., etj. Por, në një vështrim më të thelluar, duke pasur parasysh diktatin që ushtron ai si në gjirin e Partisë Socialiste, ashtu edhe brenda Bashkisë, unë do të thosha, duke shkuar edhe më larg, se Rama është një personazh negativ edhe për vetë Partinë Socialiste, edhe për të majtën shqiptare në përgjithësi, edhe për “popullin opozitar”, të cilin po e kthen, pa rënë në sy, në një turmë gati androide që i bindet atij mekanikisht në bazë të ligjeve të një robotike politike thellësisht djallëzore.
Rambo, Ramiz, Rama… Ram, Ram, Ram… Rram-bam, rram-bam, rram-bam! Më në fund, Rama i a bëri bam duke e vënë kandidaturën e tij për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës! Çuditërisht, me t’u bërë e njohur publikisht kjo kandidaturë, diku, në rrethinat e Tiranës, filloi të këndohet përsëri kënga e përmendur në krye të këtij shkrimi, por kësaj here këngëtarët anonimë, refrenit të tekstit të vjetër i kanë ndërruar disa fjalë për ta bërë më aktual: “Rama, Rama, eja ti/ Të t’ndihmoj un’ ty tashi/ Euro paske veç tre mi’/ Dhe na qenke pa shtëpi…”.

© Panorama.al

Te lidhura