
Pakti për integrimin dhe ftesa për dialog me Kryeministrin Berisha ishin në qendër të takimit që kryesocialisti zhvilloi në selinë rozë me trojkën e ambasadorëve. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, iu përgjigjën pozitivisht ftesës së kryesocialistit për një bashkëbisedim rreth paktit me 10 pika të propozuar nga kreu i PS, i cili në këtë takim shoqërohej nga deputetët Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri. Takimi zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe bashkëbiseduesit kanë ndarë pikëpamjet e tyre rreth çështjeve që kryesocialisti trajton në paktin e tij. Mësohet se kryesocialisti dhe dy deputetët që e shoqëronin në këtë takim i kanë sqaruar ambasadorët për çdo pikë të paktit, kanë detajuar se çfarë kërkojnë të arrijnë përmes tij dhe hapësirat ligjore në përmbushjen e tij. Kryesocialisti e ka cilësuar paktin si dokumentin mbi të cilin mund të nisë dialogu politik mes palëve në Shqipëri.
Ambasadorët
Pas takimit me kryesocialistin, tre ambasadorët ishin të gatshëm të jepnin sqarime rreth bisedës së zhvilluar me përfaqësuesit e PS-së. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, kërkoi nisjen sa më parë të dialogut për të pasur një rezultat konkret prej tij pranverën e ardhshme. “Të tre ne, ambasadorët Arvizu, Sequi dhe unë, u takuam me kreun e Partisë Socialiste për të diskutuar rreth situatës politike aktuale. Ai na kishte kërkuar të takoheshim së bashku dhe kështu patëm një takim shumë të frytshëm në lidhje me procesin që po zhvillohet këtë vjeshtë. Ky proces duhet të ecë përpara. Janë bërë propozime të rëndësishme dhe z. Edi Rama na dha informacion shtesë rreth këtyre propozimeve. Bëhet fjalë për një listë të hapur, e cila nis me mënyrën se si duhet të funksionojë Kuvendi, me atë se si mund të jetë Kodi Zgjedhor në të ardhmen, si edhe pika të tjera. Ne mendojmë që është e rëndësishme që lista është e hapur dhe shërben si propozim për dialog me shumicën qeverisëse. Duhet shqyrtuar me seriozitet të plotë nga të gjitha palët e interesuara dhe, në qoftë se trajtohet brenda një kornize kohore të arsyeshme, do të bëjë të mundur që të shohim disa rezultate përpara ose gjatë pranverës së ardhshme. Ne jemi këtu për të ofruar mbështetje, për t’i vënë në lëvizje palët, për t’i ndihmuar ato që të ecin përpara. OSBE-ja është veçanërisht e gatshme për të mbështetur çdo lëvizje kur bëhet fjalë për të gjetur pikat e përbashkëta dhe për të identifikuar rrugën për të ecur përpara, sidomos kur bëhet fjalë për integrimin europian”, u shpreh Volfarth.
Më i rezervuar në deklaratat e tij, edhe ambasadori Arvizu ritheksoi mbështetjen e pakursyer të vendit të tij për afrimin e plotë të Shqipërisë me BE: “Unë mbështes plotësisht atë që sapo thanë dy kolegët. SHBA mbështet me gjithë zemër rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur këtë”, u shpreh Arvizu. Duke qenë në mbështetje të deklaratës së ambasadorit të OSBE-së, Etore Sekui, ambasadori i BE-së, iu referua vetëm një thënieje të popullit tonë për të përkufizuar situatën politike dhe hapat integrues pas takimit në zyrën e kryetarit Rama: “Unë pajtohen plotësisht me deklaratën e ambasadorit Volfarth. Kam vetëm diçka për të shtuar: Gur, gur bëhet mur”.
Ftesa për debat publik
Kryesocialisti Edi Rama, përmes një editoriali, i kërkoi Kryeministrit Berisha një debat publik lidhur me 10 pikat e paktit të propozuar prej tij. Rama kërkoi nga Kryeministri që të mos e refuzojë paktin, por të japë mendimet e tij për pikat që nuk bie dakord, por kjo të sqarohet në sy të shqiptarëve, sipas kryesocialistit. Kryeministri Berisha, përmes zëdhënëses së PD-së, e cilësoi jo të përshtatshme kohën për debat, duke e ftuar Ramën për një debat politik në fushatën zgjedhore të 2013-s.
Zgjedhjet, ngecin negociatat PD-PS
Negociatat mes negociatorëve të dy partive kryesore, PD-PS, kanë ngecur pa asnjë zhvillim. Shkak duket se janë bërë qëndrimet e kundërta që palët mbajnë për ndërhyrjet që duhen bërë për të përmirësuar kuadrin ligjor për zgjedhjet. Ndërsa socialistët u kanë dhënë homologëve të tyre disa propozime lidhur me modalitet për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, demokratët shohin si terren të mundshëm ku mund të punohet për Kodin e ri vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 2009-s dhe të 2011-s. Kjo është pika që mban larg të dyja palët për t’u ulur dhe nisur nga puna për reformën zgjedhore. Selia rozë ka bërë të qartë tashmë se duhet riparë sistemi zgjedhor, identifikimi elektronik i votës, votimi i emigrantëve dhe disa çështje të tjera që dalin përtej rekomandimeve të OSBE-së.
Dade: Jemi gati për negociata me PD
Partia Socialiste i kërkon maxhorancës të japë një përgjigje konkrete në lidhje me paktin e integrimit, propozuar nga kryesocialisti Rama. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, tha dje se maxhoranca nuk po jep asnjë shenjë kompromisi, ndërkohë që për opozitën, 10 pikat janë të negociueshme, pasi mund të ketë shtesa dhe interpretime. “Ne presim me seriozitet dhe me durim që maxhoranca të tregojë seriozitet në vlerësimin që duhet t’u bëjë propozimeve të opozitës dhe të shpresojmë që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të cilët janë vënë në dijeni jo vetëm për vonesat, por në përgjithësi edhe për detaje për atë çka ne i kemi kërkuar dhe cili është vizioni ynë për të thelluar reformat dhe për të ngushtuar kohën e mbetur, derisa Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Opinioni publik e ka të qartë se PS ka treguar më seriozitet se pala tjetër. Në asnjë rast, askush nga ne nuk është shprehur se 10 pikat e paktit nuk janë të negociueshme, pa dyshim që janë të negociueshme, jemi të hapur që ato të pasurohen më tej”, tha Dade.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











