Rama: Tirana, me linja urbane si BE

Apr 15, 2011 | 11:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inauguroi 10 autobusë të rinj në një nga linjat e transportit publik në kryeqytet.I shoqëruar nga deputetët e Tiranës dhe kandidatë socialistë për njësitë bashkiake të Tiranës, Rama udhëtoi me një nga autobusët e rinj të linjës qendër – ish-Kombinati i Autotraktorëve. Mjetet e reja, sipas Bashkisë së Tiranës, do të ndryshojnë në mënyrë radikale kushtet e shërbimit në këtë linjë, duke e bërë edhe më komode për qytetarët. Kryebashkiaku aktual, Rama, tha se kjo është vetëm një pjesë e projektit për transportin urban, pasi brenda një kohe të shkurtër parashikohet zëvendësimi i të gjitha mjeteve të vjetra të transportit urban, me mjete moderne. “Askush nuk e përfytyronte deri dje se Tirana sot do të kishte linja autobusësh të standardit europian. Sot të gjithë kanë një mijë e një arsye për ta parafytyruar se nesër Tirana do të ketë një transport publik të integruar jo vetëm me autobusët e standardeve të BE-së, por me korsitë e dedikuara për autobusët”, tha Rama. Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kandidat për mandatin e katërt, premtoi korsi të veçanta për transportin publik. “Nesër Tirana do të ketë një transport publik të integruar, jo vetëm me autobusë të standardeve europiane, por me korsitë e dedikuara për autobusët. Do të jenë 88 km korsi të dedikuara për autobusët, që do ta shpejtojnë jashtëzakonisht shumë qarkullimin me autobus dhe do të ulin jashtëzakonisht shumë kostot e atyre që sot shpenzojnë për makinën private dhe humbasin jo vetëm para, por edhe kohë për shkak të qarkullimit dhe nga ana tjetër biçikletën. Padyshim, më shumë hapësirë dhe mundësi për këmbësorët”, u shpreh Rama. Sipas tij, jeta në Tiranë do të ishte edhe më cilësore, nëse maxhoranaca nuk do të bllokonte bashkinë.
Sipas tij “mbahen peng nga Saliu dhe nga Iliri, si rrjedhojë e bllokimit të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, vendimmarrje të cilën ne do ta çlirojmë në 8 maj”.

Rama: Vota e 8 majit politike, ndan rrugën e Saliut nga e jona

Koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen” prezantuan dje në qytetin e Beratit kandidatin për këtë Bashki, Fadil Nasufi. Në prezantimin e tij, lideri i opozitës, kreu socialist Rama, ka sjellë në vëmendje problematikën me të cilën përballet ky qytet. “Shiheni si e kanë lënë tërësisht në mëshirë të fatit Beratin qindravjeçar. Qeveria e ka braktisur Beratin. Në këtë mrekulli të Zotit dhe të njeriut shtrihet Berati në mes të skamjes e varfërisë, ky xhevahir ka nevojë të pastrohet nga pluhurat e indiferencës së shtetit”, tha Rama. Sipas kryesocialistit, për të vazhduar projektet për Beratin nuk duhet të punojë vetëm një njeri, që ta nxjerrë në dritë, por duhet mbështetje edhe nga qeveria. “Lumi i Beratit, një pasuri, por e lënë në mëshirë të fatit, nga burim mirëqenie është kthyer në burim fatkeqësish duke dalë nga shtrati dhe duke shkaktuar probleme”, tha Rama. Kjo është arsyeja, sipas kryetarit të PS-së, që në 8 maj qytetarët duhet të dënojnë qeverinë me votë. “Ja pse vota e 8 majit është votë politike, e cila do të ndajë rrugën e Saliut nga e jonë. Qeveria duhet të ketë sy për të parë dhe vlerësuar pasuritë që na ka dhënë zoti dhe ato që njerëzit në breza i kanë ndërtuar”, nënvizoi Rama.     d.xh

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura