Rama: Tirana me katër unaza

Apr 26, 2011 | 11:14

Bashkia e Tiranës prezantoi dje në mjediset e qendrës multimediale “Ten”, projektin për unazat e Tiranës.Dy drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, zv.kryetarja Albana Dhimitri dhe administratori i Përgjithshëm Dritan Agolli, prezantuan detajet e këtij projekti, i konceptuar si program i qëndrueshëm dhe pjesë e një plani strategjik të zhvillimit të kryeqytetit. Sipas tyre, Tirana do të ketë katër unaza, që do të zgjidhin përfundimisht trafikun në kryeqytet. Tirana, në vitet e ardhshme, do të ketë: Unazën e Vogël, me një gjatësi prej 2.5 km; Unazën e Ndërmjetme, me një gjatësi prej 4.5 km; Unazën ekzistuese, e cila ka një gjatësi prej 7.5 km, si dhe Unazën e Madhe, me një gjatësi prej 20.2 km. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në këtë takim, pasi falënderoi pjesëmarrësit në takim, i ka ftuar ata të vijojnë të ndjekin në ditët në vijim projektin për Qendrën e Re të Tiranës, i quajtur “Tirana XXI”. Kreu socialist, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar dhe takime në njësitë bashkiake të Tiranës. Pasdite, Rama ishte në Njësinë Bashkiake Nr. 9, në rrugën “Don Bosko”, ku prezantoi dhe kandidatin e Aleancës për të Ardhmen në këtë minibashki, Armond Halebi. Rruga e ndërtimit dhe urbanizimit, sipas Ramës, është e kundërt me atë që ndodh në rrethinat e Tiranës, në Kamzë e geton e Kasharit, siç tha ai, ku Berisha po shkatërron në vend që të ndërtojë. “Këtu po ndërtohet një zonë e urbanizuar dhe është fare e qartë se sa dhe si dallon modeli ynë i urbanizimit me modelin e mbrapshtë të atyre që janë sot para nesh. Habitem se si Saliu i thotë qytetarit ‘ju jeni të parët’ dhe ku nuk tregon dot një qytet apo komunë si model urban. Mjafton të shihni përkrah unazës së re, që ngrihet getoja e Kasharit. Në Kamzë, ku mijëra e mijëra qytetarë kanë ardhur në kërkim të Amerikës për një jetë më të mirë, nuk kanë asgjë tjetër përveç shtëpive, nuk kanë zhvillim urban”, tha Rama. Duke folur për sloganin e PS, i cili, sipas Ramës, edhe pse e shqetëson shumë Berishën, është i vetmi që i çon shqiptarët drejt rrugës së zhvillimit. “E shqetëson shumë slogani ynë se i bëjmë thirrje popullit për t’u bashkuar me ne, sepse është e vetmja rrugë që kanë për të parë në fund të tunelit të varfërisë e papunësisë. Kjo është e vetmja rrugë për ta ndërtuar Europën në vendin tonë”, tha më tej Rama. Në Njësinë Nr. 3, kreu socialist u ka kërkuar banorëve të kësaj zone që më 8 maj të kërkojnë llogari për të gjitha padrejtësitë që po përjetojnë për shkak të keqmenaxhimit të pushtetit. Rama tha se vendin e ka përfshirë varfëria dhe se ka ardhur koha që kjo situatë të ndryshojë, në mënyrë që vendi të ketë një të ardhme të re. “Duhet të çajmë rrugën e varfërisë, ndaj më 8 maj të papunët duhet të shkojnë në kutitë e votimit dhe të kërkojnë llogari për të gjitha padrejtësitë. Saliu të dalë i papunë më 8 maj, pasi ka ardhur koha t’i japim një të ardhme vendit”, përfundoi fjalën e tij Rama, ku prezantoi dhe kandidatin e PS-së për këtë minibashki, Enver Sulollari.

Projekti i Bashkisë për unazat e Tiranës

Unaza e Vogël:
• Ka një gjatësi prej 2.5 km
• Parashikuar dhe ndërtuar me 3 korsi

Unaza e Ndërmjetme
• Ka një gjatësi prej 4.5 km
• Në vitet 2005-2008 Bashkia ka ndërtuar 2 segmente të saj

Unaza ekzistuese
• Ka një gjatësi 7.5 km dhe një kapacitet prej 3+3 korsish
• Bashkia e Tiranës ka përfunduar plotësisht ndërtimin e 3 segmenteve të saj, në vitet 2003-2009

Unaza e Madhe
• Ka një gjatësi prej 20.2 km
• Parashikohet në disa segmente profile prej 3+3 korsish dhe në të tjera 4+4 korsi

Rama: Më 9 maj, festë në Pezë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, prezantoi dje në Pezë kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Artur Peza. Ai u kërkoi qytetarëve të votojnë LSI-në, duke theksuar se “në zgjedhjet e 8 majit, në Pezë konkurrojnë kandidatë të majtë, që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe, nga ana tjetër, janë të majtët e vlerave qytetare që përfaqëson LSI-ja. Më datën 9 maj të festohet në Pezë fitorja e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit”.

PLL: Do ndërtohet Rruga e Zogut

Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, ishte në komunën Rukaj të rrethit Mat, ku prezantoi kandidatin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Nevruz Kurtin, i cili konkurron në emër të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Duke folur për vlerat dhe mbështjetjen e kandidatit Kurti, Spahia kërkoi votën për të dhe garantoi investime nga qeveria. Sipas tij, investimi më i madh për zonën gjatë viteve 2011-2015 do të jetë në rrugën Burrel-Mirditë, që është hapur në kohën e Mbretit Zog dhe do të asfaltohet nga qeveria e kryeministrit Berisha”.

Prokuroria kërkoi burg, Gjykata liron Shullazin
“Unë nuk kam shkuar të bëj rrëmujë. Kam shkuar t’u them që kam njerëz të sëmurë në shtëpi. Kur po dilja jam penguar te një kabllo dhe kam rrëzuar boksin pa dashje”. Kështu e ka rrëfyer Emiliano Shullazi para trupit gjykues incidentin e së enjtes, gjatë një takimi elektoral të kandidatit të Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr. 7 në Tiranë. Në përfundim të seancës, Gjykata e Tiranës e liroi atë nga qelia, pasi caktoi për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Seanca në fjalë u zhvillua paraditen e së dielës në Gjykatën e kryeqytetit. Emiliano Shullazi, ish-i dënuari për trafik droge, u paraqit para gjykatësit të gatshëm Sokol Tona, për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Gjatë pretendimeve të palëve, përfaqësuesja e akuzës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Shullazin, për akuzën “pengim të organizimit të zgjedhjeve”.   ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura