Rama: Saliu, fushatë me helikopter

Apr 11, 2011 | 10:09
Rama dje në Kombinat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi dje kandidatin socialist për Njësinë Nr.6 në kryeqytet.Rama deklaroi se kombinatasit duhet të votojnë kandidatin e PS, Krenar Cenollarin, për të mos ngelur më peng i Ilirit dhe Saliut. Edhe në këtë takim me votuesit e Kombinatit, Rama nuk iu shkëput politizimit të këtyre zgjedhjeve, duke akuzuar maxhoranacën se ka bllokuar zhvillimin e kësaj zone. “Janë pikërisht Iliri dhe Saliu që mbajnë peng linjën e re të autobusëve Kombinat-Kinostudio. I shoh me pezmatim autobusët e Kombinatit që kanë mbetur pas në standarde. Çdo banor i Kombinatit ka edhe një arsye më shumë për të na votuar, linjën e re të autobusëve që ne do ta vendosim me të na dhënë ju shumicën qeverisëse. Linja e autobusëve mbahet peng nga Saliu e Iliri, por pas 8 majit, ne do ta vendosim”, u shpreh Rama. Përpara qytetarëve të Kombinatit, Rama kërkoi t’i jepet fund regjimit të Berishës, që sipas tij vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë. Sipas Ramës, Saliu vazhdon të vjedhë xhepat e shqiptarëve edhe me fushatën që e vuri në dietë. “Qytetarëve u shiti llumin për naftë, u shkatërroi makinat e mushkëritë, ndërkohë pasi shpalli një fushatë në dietë, fluturon qytet më qytet me helikopter me qira, për të përfituar nga rrogat e njerëzve të thjeshtë. Shqipëria me 1 milion të papunë dhe Saliu thotë, po habitet bota me ekonominë tonë”, vijoi më tej gjatë fjalës së tij Rama.
Duke kërkuar votën e qytetarëve në 8 maj për koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, Rama tha se kjo votë do të jetë votë kundër kusarisë së pushtetit aktual. “8 maji nuk duhet të jetë një fletë e bllokut të kusarisë së Ilirit dhe një pjesë e pemës së kalbur të Saliut”, theksoi Rama. Duke sulmuar sërish kryeministrin Berisha, kreu i PS-së, Rama, theksoi se ai është duke mashtruar shqiptarët të cilëve më parë u vodhi votën. “Vetëm vota popullore e mbrojtur si vullnet sovran do ta këpusë zinxhirin e të këqijave në këtë vend”, theksoi më tej Rama, duke shtuar se vjedhja e votës është zinxhiri i të gjitha problemeve. Gjithashtu Rama ka theksuar se në 8 maj qytetarët do t`i japin përgjigjen e merituar këtij pushteti kusarësh. “Le t`i themi ‘Kurrë më’! Saliut në 8 maj. Kurrë më grabitjeve të pasurive të popullit dhe pronave të qytetarëve me vendime qeverie të paligjshme”, theksoi më tej Rama. Kreu i Bashkisë së Tiranës, duke folur për të kaluarën e kësaj lagjeje, tha se Kombinati sot është transformuar rrënjësisht. “Ne e rikthyem në jetë Kombinatin, pa jetë, e përzumë renë e tymit nga Kombinati. 4 vjet më parë unë erdha këtu në Kombinat për të kërkuar votën. Në 8 maj kryetari i kësaj njësie do jetë Krenar Cenollari, sepse Kombinati nuk mund të jetë një pjesë e stërzgjatur e kusarisë së Ilirit dhe Saliut”, tha Rama.

PDS: Mbështesim Ramën

Partia Demokracia Sociale mblodhi dje Komitetin e Përgjithshëm Drejtues në kuadër të nisjes së fushatës elektorale. Sipas kryesuesit të listës për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Florian Pullazi, gjatë takimit të KPD u konfirmua dhe një herë mbështetja për kandidaturat e Demokracisë Sociale, që do të kandidojnë nëpër njësitë e ndryshme vendore dhe veçanërisht në Tiranë, ku strukturat e partisë do të jenë përkrah me strukturat e PS-së, për të kontribuar në fitoren e kanditatit të opozitës, Edi Rama.

PDIU, fushatë në Elbasan

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka vijuar fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit, ku kryetari Shpëtim Idrizi parashtroi ndër pikat kryesore të programit, edhe bashkimin konik të shqiptarëve. “Të thuash kështu, nuk është një sakrilegj, sepse ekonomia e Shqipërisë dhe ekonomia e Kosovës duhet të jenë ekonomi komplementare dhe jo konkurruese. Ne sot duhet të krijojmë një treg real ku qarkullojnë mallrat, idetë dhe njerëzit. Kjo është
një ndër pikat thelbësore të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.” deklaroi Idrizi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura