Një qytetar ironizoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me deklaratat e tij se protesta po dëmton turizmin. Protestuesi theksoi se ai që po e saboton sektorin e turizmit është vetë kryeministri i vendit me veprimet që ka bërë.
Më pas, ai akuzoi se Rama bashkë me Belinda Ballukun, ish zëvendës kryeministren dhe ish ministren në akuzë nga SPAK, po mbajnë peng Aeroportin e Vlorës për shkak se iu janë prishur pazaret me oligarkët.
“Unë do të përmend se kush janë sabotatorët e turizmit dhe le ta marrë vesh mbreti bashkë me kllounët e oborrit. A ka sabotator më të madh se kjo qeveri që kur erdhi në pushtet euro ishte me 140, sot që po ikën ka rënë në 93. A ka sabotator më të madh për turizmin sesa zhvlerësimi i lekut në raport me euron me 35%. Akoma nuk keni parë asgjë se kulmi i sezonit turistik nuk ka ardhur dhe se ku do të ndalet euro një zot e di.
Të protestojmë për të larguar këtë, se turizmi do të stabilizohet kur Edi Rama të largohet. A ka sabotim më të madh që të mos i japësh certifikatën e pronësisë pronarëve të vërtetë duke mos i hapur atyre rrugën për të investuar në pronat e tyre. Sabotim është kur ndërton aeroport për fushatë elektorale dhe më pas e mbyll atë. E mbani mend Kukësin apo jo? A ka sabotim më të madh sesa për interesat e tyre personale, Edi Rama dhe Belinda Balluku e kanë marrë peng Aeroportin e Vlorës. Këtë vit duhet të kishim turistët e parë që duhet të vinin në aeroport por për shkak se janë prishur pazaret midis oligarkëve Ramës e Ballukut, ata po e sabotojnë turizmin se nuk e duan. Po sabotim është edhe që autostrada Tiranë Durrës të marrë dy vjet për tu zgjeruar vetëm 6 kilometra.”, tha ai.
© Panorama.al











