Rama premton Kampus të ri Universitar, por në Tufinë

Apr 19, 2011 | 11:04

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje projektin e realizimit të Kampusit Universitar.Në një aktivitet të organizuar dje paradite te çadra elektorale e PS-së, në sheshin e tre vëllezërve Frashëri, Rama e cilësoi projektin e kampusit si një nga elementet kryesore të planit strategjik “Tirana 2020”. “Duke folur për Kampusin e ri Universitar, flasim, në fakt, për një vizion që është më shumë se sa një vizion i miradministrimit vendor, është një vizion i zhvillimit vendor dhe kombëtar, është një vizion që edhe njëherë tjetër nënvizon pse zgjedhjet e 8 majit janë, në fakt, zgjedhje politike, jo thjesht dhe vetëm për të përcaktuar me votë, si shprehje e vullnetit popullor, një qasje ndaj njërës apo tjetrës forcë, por janë zgjedhje politike për t’i dhënë një drejtim krejtësisht të ri politikës kombëtare, në raport me demokracinë, në raport me drejtësinë, ekonominë”, u shpreh Rama. Të rinjtë e pranishëm në këtë aktivitet kanë ndjekur detajimin e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës për fazat e ndërtimit të Kampusit Universitar në Tufinë. Sipas tij, projekti i Bashkisë së Tiranës dallon nga oferta pa projekt e maxhorancës. “Ndërkohë që Bashkia e Tiranës është në gjendje të tregojë jo thjesht se cila është ëndrra jonë, as thjesht se çfarë forme ka kjo ëndërr, përmes pamjesh të cilat ndihmojnë përfytyrimin për ta prekur ëndrrën, por edhe rrugën që ne kemi përcaktuar. Pala tjetër, pala që qeveris Shqipërinë, nuk është në gjendje të tregojë asnjë plan strategjik zhvillimi, në asnjë prej sektorëve, nuk është në gjendje të thotë se cila është e ardhmja e arsimit”, u shpreh kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës. Rama, gjatë fjalës së tij, i ktheu dje përgjigje dhe kryeministrit Berisha për sloganin e socialistëve. “Jemi sot mes dy rrugësh, njëra është rruga që çon në thellimin e një problematike të rënduar të demokracisë, të drejtësisë, ekonomisë, e një problematike shumë të rënduar të të gjithë sektorëve të jetës dhe, nga ana tjetër, rruga tjetër është rruga jonë, e një ëndrre që ne e kemi treguar në Tiranë dhe në realitete të tjera se jemi në gjendje ta ndjekim me pasion, me vullnet, me kompetencë profesionale”, u shpreh Rama. Pa lënë pas dorë theksimin e karakterit politik të këtyre zgjedhjeve, Rama i cilësoi ato si zgjedhje mes së shkuarës dhe së ardhmes. “Në fund fare, më lejoni që ta mbyll duke dëshiruar që të gjithë ata që e ndjekin këtë fushatë zgjedhore, të kuptojnë se më shumë se asnjëherë në të shkuarën, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje mes partish, këto janë zgjedhje mes së shkuarës dhe së ardhmes, këto zgjedhje janë zgjedhje, të cilat përcaktojnë nivelin e lirisë individuale, nivelin e lirisë familjare dhe komunitare, e lirisë demokratike dhe lirisë ekonomike të gjithsecilit”, u shpreh kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës.

Kule: Kampusi i UT, ndërtohet te studentët

Punimet për kampusin e ri universitar të Universitetit të Tiranës nisin në fund të vitit. Këtë deklaratë ka bërë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Kampusi do të ngrihet tek fusha e sportit pranë Qytetit Studenti. “Qeveria shqiptare ka miratuar financimin prej 23 milionë eurosh për të materializuar projektin që do të ofrojë mjedise studimi për 15 mijë studentë të rinj “, ka deklaruar rektori i UT-së. Ndërtimi plotë këtij kampusi modern me 5 kate pritet të përfundojë brenda tre viteve. Në vitin 2012, sipas rektorit Kule, do të jenë gati godinat mësimore. “Më pas do të materializohet pjesa tjetër e planit urbanistik, i cili parashikon ndërtimin e sallave të konferencave, bibliotekës, fushës së minifutbollit, tenisit, basketbollit dhe pistës së vrapimit”, është shprehur Kule.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura