Rama: Nuk synoj ta rrëzoj Saliun me editoriale

Oct 21, 2011 | 11:18

“Komunikoj me njerëzit, s’kam si qëllim të rrëzoj Saliun”

Kam ndeshur herë pas here këto kohë në këtë blog, por edhe në komente që më kanë mbërritur nga të tjera tribuna, një shprehje të habitshme: “Nuk rrëzohet Saliu me editoriale!”. A thua se për qëllim të editorialeve të mia kam shpallur rrëzimin e Saliut (?) ose ende më keq, a thua se ankuesit në fjalë bezdisen nga fakti që u duhet të lexojnë. Apo, nuk e di, mbase i bezdis edhe thjesht fakti që unë shkruaj për të komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit.
Që komunikimi publik e jopublik mes njerëzve në Shqipëri është rrënuar në një farë feje ku zor të gjesh dritë shprese për ta parë të rimëkëmbur, kjo dihet. Dihet edhe që në pasqyrat mediatike ky komunikim i rrënuar gjuhësisht e botëkuptimisht deformohet akoma më zi nga interesa aspak të fshehta të lidhura me politikën. Por po ashtu dihet se pa e rimëkëmbur komunikimin për t’u kuptuar në radhë të parë me njëri-tjetrin se çfarë mendojmë, jo domosdoshmërisht për të rënë dakord, ne do ta kemi të pamundur të rimëkëmbim bashkëjetesën e shkatërruar shoqërore.
Editorialet e mia s’kanë asnjë arsye më shumë se sa komunikimin e drejtpërdrejtë për çështje që i gjykoj të rëndësishme të komunikoj me njerëzit, në kushtet kur përndryshe komunikimi është tejet i kushtëzuar e i cunguar nga pasqyra mediatike. Pse të mos flasim për çështjet a të debatojmë kundërshtitë mbi qëndrime e ide të shprehura në këto shkrime, po të humbasim kohë kot me komente për faktin pse unë shkruaj editoriale? Editorialet nuk zëvendësojnë asgjë tjetër në punën time, janë thjesht në vendin e tyre dhe synojnë vetëm kaq: Një komunikim më të shtjelluar se sa ç’lejojnë rrugët e tjera me njerëzit e interesuar për pikëpamjet e mia.

Editoriali i 11-të
Kreu socialist, që prej 16 gushtit, kohë kur klasa politike ishte me pushime, nisi të shkruajë editoriale për mediat e shkuara, një risi kjo e politikës shqiptare dhe e drejtuesve të partive politike. Editoriali i djeshëm është i njëmbëdhjeti i tij, përmes të cilave ka trajtuar temat e ditës, që nga raporti i ODHIR-it për zgjedhjet, greva e minatorëve të Bulqizës, e deri te ligji për importimin e plehrave. Por, dje ishte hera e parë që Rama shpjegonte se qëllimi dhe rëndësia e tyre ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, dhe jo rrëzimi i qeverisë, siç e kishin cilësuar kritikët e këtij modeli.

EDI RAMA

© Panorama.al

Te lidhura