
Kryetari i Partisë Socialiste ka hapur fushatën në qytetin e Pogradecit, ku është bërë prezantimi i kandidatit Artan Shkëmbi, i cili garon për një mandat të tretë. Edi Rama e ka përqendruar fjalimin e tij tek fitorja e 8 majit, ku është shprehur se qeveria e kryeministrit Berisha do të ndëshkohet me votë jo vetëm në Pogradec, por në të gjithë vendin. Duke vlerësuar kandidatin socialist Artan Shkëmbi, i cili garon për ballë kandidatit të LSI Luan Topçiu, Rama e cilësoi rivalin politik për këtë bashki si të marrë peng.”Me Tani Shkëmbin është Pogradeci që ne duam. Kandidati përballë është sot i marrë peng nga Saliu dhe ka rënë në pozitën e Ilirit. Ne zgjedhim Artanin e shpëtojmë Luanin. E shpëtojmë Luanin nga të këqijat e bllokut të kusarisë dhe koalicioni i turpit”, u shpreh Rama. Ai akuzoi sërish Kryeministrin se vodhi votat në 28 qershor, duke shtuar se e vetmja rrugë për Shqipërinë është Partia Socialiste. “Dy vjet më parë votat u vodhën duke hyrë në rrugën qorre të një krimi, me një qeveri që të merr votën kur s’ia jep, të merr lekët nga xhepi, të merr shpirtin dhe jetën kur i duhet. Vota është magjike. Fuqia e lekut po u merret nga xhepat qytetarëve, edhe pse Saliu thotë se kam rritur rrogat. E keqja që ia merr lekët popullit është Saliu ,dhe kjo varfëri ku është zhytur vendi, vjen nga moskokëçarja e qeverisë. Kurrë më këtij pushteti të vjedhur”, tha Rama.











