
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e nisi ditën e diel me një takim me banorët e Njësisë Nr. 1, blloku 59, i cili është rikonstruktuar kohët e fundit.Duke iu përgjigjur akuzave të kandidatit demokrat për taksat e bashkisë, Rama u shprehur se kryeqytetasit i paguajnë Bashkisë 550 lekë të vjetra në muaj për të gjitha shërbimet që u ofrohen, ndërkohë që taksat që qytetarët u paguajnë qeverisë janë 50 herë më të larta. “Tani siç po transferojmë mjedisin e jashtëm, duhet të transformojmë mjedisin ekonomik, të çdo familjeje që të kenë pune dhe që të kenë lek, këto dy gjëra janë më kryesoret. Me 550 lekë të vjetra në muaj kontribute për Bashkinë, shikojeni vetë si u transformua nga një baltovinë në një lagje normale dhe kështu do të transformohen të gjitha lagjet e Tiranës. Problemi është se çfarë bëhet me 50 herë më shumë në muaj që i paguani në muaj qeverisë, ato ku venë. Mesatarisht, 1 milion paguan biznesi i vogël, për gjithë këto punë të mëdha që bëhen, për pastrim, për ndriçim, gjelbërim. 4 milionë metra katrorë blloqe banimi janë transformuar, 4 herë më shumë merr qeveria. Vetëm për mirëmbajtjen e kasës fiskale që e imponoi me dhunë dhe korrupsion, qeveria merr më shumë në vit sesa merr Bashkia për pastrimin e gjithë Tiranës dhe në 8 maj duhet të ndryshojë kjo gjendje”, u shpreh Rama në bashkëbisedimin e tij me banorët e Njësisë Nr.1, blloku 59. Paraditen e djeshme, kreu socialist i shoqëruar nga disa deputetë socialistë, zhvilluan një ndeshje basketbolli me ekipin e të rinjve të Tiranës, ku Rama ishte pjesë e të rinjve. Nën mbështetjen e të rinjve të FRESSH-it, Rama ka shënuar disa kosha, ndërsa kundërshtar kishte Eduard Shalsin, Blendi Klosin, por dhe Erion Veliajn. Pasdite, takimet e kreut socialist vijuan në Njësinë 10 në kryeqytet. Rama prezantoi kandidaten e ‘Aleancës për të ardhmen’ në këtë njësi, Enada Alikaj. “Tirana është qyteti më i pastër i vendit. Qeveria po bën një fushatë baltosjeje ndaj Bashkisë, pasi ishte ajo që na e la Tiranën me plehra. Ndërkohë sot numërohen 55 mijë pemë të mbjella, transporti publik shumë pranë standardeve”, u shpreh Rama. Në orën 18:30 kreu socialist ishte në Kamzë. Kreu Rama vijoi takimet e tij elektorale në Kamzë, ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, Rakip Sula. Në qendër të fjalës së tij, Rama ngriti problemin e legalizimit të ndërtesave. E mbajtur si një bastion i së djathtës, Rama tha se Kamza është përdorur për 20 vite me radhë për fushatë elektorale dhe se edhe sot, pas 20 vjetësh, vazhdon të ketë ndërtesa të palegalizuara. “Kamza u ndërtua me mund e sakrifica nga qytetarët e ardhur nga të gjitha rrethet. Pas 20 vitesh, sot Kamza vazhdon t’i ketë ndërtesat e palegalizuara. Saliu shfrytëzoi besimin tuaj. Berisha e përdor Kamzën vetëm për fushatë elektorale. Kamza është shndërruar në Amerikën e Vogël e shqiptarëve”, tha Rama.
ARISTIR LUMEZI











