Rama ndërpret fushatën, takon emigrantët në Itali

Apr 16, 2011 | 12:21

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës, shkëputet për disa ditë nga fushata për zgjedhjet e 8 majit dhe udhëton në Itali për një takim me emigrantët shqiptarë.Lajmin e bën të ditur dega e PS-së në Romë, e cila ka publikuar një njoftim ku sot paradite do të zhvillohet një takim festiv me pjesëmarrjen e kreut të selisë rozë. “Këngëtari ynë i shquar me banim në Venezia të Italisë, Gëzim Kaso, bashkë me orkestrën e tij, do të mbajë lart atmosferën e pritjes dhe përcjelljes së kryetarit Edi Rama, të shtunën paradite në Rimini”, thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”. Ku udhëtim i kreut të PS-së, Edi Rama, drejt vendit fqinj vjen në kulmin e fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale. Gjatë ditëve të fundit, kandidati për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës ka zhvilluar takime në disa prej lagjeve të kryeqytetit ku është takuar me banorët për të diskutuar mbi problematikën e tyre. Në të njëjtën kohë ai ka prezantuar edhe programin e tij për Tiranën, ku ka vënë theksin te ndërtimi i gjashtë linjave të tramvait për të lehtësuar qarkullimin në Tiranë. Gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Rimini, kreu i opozitës pritet të shpalosë edhe njëherë programin me të cilin kjo parti do të kërkojë votat në 8 maj si dhe do t’u bëjë thirrje emigrantëve që ditën e zgjedhjeve të jenë në vendin tonë për të marrë pjesë në votime. Në daljen e fundit para mediave, përpara se të udhëtojnë drejt Italisë, kreu i PS-së, Edi Rama, përjashtoi çdo mundësi që të zhvillojë një debat publik me kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, duke u shprehur se kandidati demokrat duhet të shkojë në gjykatë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura