Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se në 8 maj qytetarët do të zgjedhin mes modelit që ofron PS-ja dhe ku si shembull është Tirana dhe modelit të PD-së, që ka si shëmbëlltyrë Sarandën.Nga qyteti bregdetar, Rama kërkoi votat për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, ish-deputetin Stefan Çipa. “8 maji është një ditë në të cilën në fakt ju dhe të gjithë shqiptarët do të duhet të zgjedhin midis dy rrugësh dhe modelesh tërësisht të ndryshme. Midis modelit tonë të zhvillimit dhe të suksesit dhe modelit të tyre. Një prej shëmbëlltyrave më tipike të të cilët është Saranda e keq qeverisur prej vitesh nga Saliu i vogël këtu, por në frymën e Saliut atje në Tiranë”, u shpreh Rama. Sipas tij, vota kundër koalicionit të djathtë në 8 maj do të thotë më pak lista nëpër dyqane, më pak fatura abuzive si dhe çmime më të ulëta. “Në një hapësirë të përbashkët ku shqiptarët, qytetarët e këtij vendi, të mos kenë asnjë arsye të vazhdojnë të regjistrojnë borxhet në listat e dyqaneve për ushqimin e përditshëm. Të mos kenë asnjë arsye që të dridhen kur të dalin nga shtëpia, sepse nuk dinë sesi do t’i gjejnë çmimet. Të mos kenë asnjë arsye që të kenë ankthin e faturës që do t’ju hyjë nën derë me një kosto të papërballueshme për xhepin e tyre, sepse ky vend i ka të gjitha ato që i duhen për ta nxjerrë këtë popull nga varfëria. Për t’i dhënë njerëzve punësimin që duan dhe që meritojnë e për t’i dhënë komuniteteve zhvillimin që ëndërrojnë dhe që është plotësisht i mundshëm, duke u bërë të gjithë bashkë”, u shpreh Rama. Pasditen e djeshme, kreu i PS-së ishte në qytetin e Durrësit ku u inaugurua një galeri në sheshin “Iliria”. Rama tha se pushteti lokal i drejtuar nga PS-ja është përpjekur të bllokohet nga qeveria e PD-së, teksa shtoi se, edhe në këto kushte të vështira, qeveritarët lokalë socialist kanë arritur ta zhvillojnë qytetin e Durrësit. “Unë jam shumë i kënaqur që më në fund qyteti i Durrësit ka një galeri. Tashmë piktorët durrsakë kanë se ku t’i ekspozojnë pikturat e tyre”, tha Rama. Në mbrëmje kreu i opozitës ka udhëtuar drejt Krujës. “Sot isha me tre gra që kanë lidhje origjine nga Kruja. Me gjysmën time më të mirë Lindën, Eglantinën dhe Klodin. Erdhëm thjesht të pimë një kafe, por jam i befasuar dhe i lumtur nga pritja. Ne do t’i kthejmë Krujës të gjithë shkëlqim e humbur”, u shpreh Rama.
Leonidha Musaj











