Kreu i Bashkisë së Tiranës u premtoi të rinjve kreditim për hapje biznesi.Bashkia e Tiranës, në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”, akordoi dje 40 bursat e para për aftësim profesional, për të rinjtë në vështirësi sociale dhe ekonomike të qytetit të Tiranës. I pranishëm në këtë ceremoni, Rama e cilësoi këtë projekt si nisja e një plani për të luftuar papunësinë. “Ne jemi shumë të kënaqur që 100 të rinjtë e parë, ndër këta 630, që janë planifikuar për të qenë blloku i parë i të rinjve që do të trajnohen, do të fitojnë edhe mbështetjen financiare të nevojshme për të hapur biznesin e tyre mbi bazën e dijes që do të marrin në këto kurse trajnimi”, u shpreh Rama. Sipas tij, Bashkia do të ndjekë aftësimin profesional të këtyre të rinjve duke nxitur dhe nisjen e një iniciative për biznes.
“Në rast se këtu, ne u dhamë me këtë ceremoni modeste një bursë për parukierë, përpunimet e duraluminit, për servisin e automjeteve, për animatorë socialë e kështu me radhë, ne do t’i ndjekim këta të rinj në të gjithë procesin e formimit të tyre profesional dhe në bazë të rezultateve, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim duke u krijuar mundësinë që ata të kenë një hapësirë, për ta filluar biznesin e tyre, një mundësi që do të jetë një mbështetje financiare, sigurisht, e materializuar në forma të ndryshme, për t’u paguar për një periudhë kohe qiranë e mjedisit, derisa biznesi i tyre të ngrihet në këmbë dhe të jetë i mjaftueshëm për ta përballuar vetë qiranë, për t’u dhënë mundësi që të blejnë instrumentet e punës që u duhen, për t’u dhënë mundësi që të vendosen në rrjetin e biznesit që ata do të bëjnë e kështu me radhë”, u shpreh Rama. Në qendrën e formimit profesional të shkollës “Don Bosko” do të kryhen kurset e para për të rinjtë, mbështetur në vlerësimin e nevojave të tregut të punës dhe kërkesave të vetë të rinjve. Kurset për profesionet që do të ofrohen në këtë paketë trajnimi janë: hidraulik, mekanik, elektrik, kurse kuzhine, sekretari-kompjuteri, njohuri të gjuhëve të huaja, parukeri, estetikë, animator social, rrobaqepësi etj.
Edhe këtë projekt, kreu socialist e ka lidhur me fushatën elektorale, duke thënë se “jemi këtu për të thënë se e kemi rrugën, e kemi rrugën e punësimit për të rejat e të rinjtë në radhë të parë, e kemi rrugën e transformimit të të gjithë këtyre ëndrrave, shpresave, dëshirave dhe energjive në një fuqi të jashtëzakonshme transformuese për jetën e secilit prej tyre, por edhe për shoqërinë tonë, për shoqërinë tonë që nuk mund dot të pajtohet me këtë papunësi galopante dhe nuk mund dot t’i nënshtrohet pasojave të kësaj papunësie”.
Rama: Më 8 maj t’i japim fund regjimit
Kryetari i Partisë Socialiste prezantoi dje në qytetin e Fushë-Krujës kandidatin për këtë bashki, Gjon Bardhin. Rama i cilësoi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje politike kundër një pushteti të vjedhur dhe kusarësh. “8 maji është dita për t’i dhënë fund pushtetit të vjedhur, që vrau për të vazhduar të vjedhë, një pushtet që flet për ju e mendon për vete”, u shpreh Rama. Sipas tij, vota e 8 majit do të jetë dhe një votë kundër papunësisë. “Nuk ka të përshkruar e keqja që e ka mbërthyer rrethin tuaj. Atë që pushteti i vjedhur, për të vjedhur Shqipërinë, i ka bërë Krujës së Skënderbeut nuk ia ka bërë asnjë pushtues, askush nuk e merr me mend rrënimin e përditshëm që po i bëhet këtij vendi. Jam i bindur se më 8 maj do të bëni një investim të sigurt për të nesërmen, do të ndërtojmë një model të mirë bashkëjetese në Fushë-Krujë, qofshin socialistë e qofshin demokratë. Ta nxjerrim qarkun e Durrësit nga kthetrat e papunësisë, t’u japin të rinjve dhe të rejave mundësitë për t’u ndjerë mirë në vendin e tyre. E drejta e punës është e drejtë themelore e çdo njeriu”, tha Rama më tej.
Rama me tërheqje pas basketbollit
Mjaftoi një ndeshje basketbolli me të rinjtë e Tiranës e me disa figura të PS-së që kreu socialist, ish-basketbollist, të pësonte tërheqje muskulore. Kjo u pa qartë dje gjatë rrugëtimit të Ramës në disa rrugë të Njësisë Bashkiake Nr. 9, ku Rama mbështetej te kandidati socialist për këtë minibashki, Armond Halebi. Fillimisht të pranishmit pëshpëritnin të habitur rreth miqësisë që kreu socialist po tregonte ndaj Halebit, të cilin e mbante të përqafuar gjatë gjithë kohës. Por më pas u mësua se Rama ishte i traumatizuar nga ndeshja e basketbollit që zhvilloi të dielën me një grup të rinjsh dhe deputetësh të PS-së në fushën sportive para stadiumit “Dinamo”. Tërheqja muskulore e Ramës tregon se ai ka kohë që nuk stërvitet, ndërsa një ndeshje basketbolli i ka munguar prej kohësh. Por deputeti Shalsi, pjesëmarrës në ndeshjen e së dielës, nuk kishte dje asnjë pasojë nga ndeshja e basketbollit të së dielës.
Braçe: Basha gënjen për taksat e Bashkisë
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, në një deklaratë për mediat ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Lulit të Saliut për taksat në Tiranë. “Çdo familje e Tiranës, – tha Braçe duke folur për shtypin, – i paguan 550 lekë në muaj Bashkisë, ndërkohë që një familje me të ardhura mesatare i paguan 35 000 lekë në muaj qeverisë, pra 70 herë më shumë”. Braçe tha se Basha gënjen kur flet për 82 taksa, ndërkohë që qytetarët e Tiranës, tha ai, po dhe vetë familjarët e Berishës, apo ministrat e pushtetit, paguajnë vetëm tre taksa për të gjitha shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës. Në deklaratën për mediat, deputeti socialist tregoi edhe disa mandate arkëtimi të pagesave që kryejnë ministrat, djali i Berishës, dhe vetë familja Berisha ndaj Bashkisë së Tiranës.
Incidenti në Sukth, arrestohet 32-vjeçari
DURRES – Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 32-vjeçar për ngjarjen e Sukthit, ndërsa po heton në gjendje të lirë tre persona të akuzuar si bashkëpunëtorë. Albert Hoxha u arrestua në flagrancë për veprat penale të kanosjes, dëmtimeve të tjera me dashje, prishjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërsa për shtetasit Gent Donshi, 37 vjeç, Flamur Meziu, 35 vjeç, që të dy nga Sukthi, si dhe Dritan Muharremi, 37 vjeç, nga Durrësi, policia e qytetit bregdetar ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë. Të katër shtetasit dyshohet se gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste, të mbajtur në Sukth, kanë kanosur dhe goditur me sende të forta shtetasit Petrit Balla dhe Sokol Bardhi. l.m
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











