Rama, dy orë kokë më kokë me Blushin

Oct 30, 2011 | 12:03

Rama e Blushi dje gjatë takimit

Takimi dje në mesditë, në lokalin e selisë së PS. Kreu i PS lejon kamerat. Batuta e Ben Blushi: Sa herë vjen këtu, do të lësh diçka.

Kryesocialisti Rama dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, konsumuan një “kafe të shkurtër” për rreth dy orë në klubin pranë selisë rozë. Ditët e fundit pranverore të kësaj vjeshte duket se ishin joshëse që dy miqtë e vjetër, por me një histori komplekse, të uleshin gjatë dhe të bisedonin plot pasion nën çadrat e bardha të bar-restorantit “Austria”. Kishte pothuaj dy vjet që Rama e Blushi nuk bisedonin kaq gjatë, në një periudhë të ngjeshur politike sa i takon PS-së, e cila ndodhet para Kongresit të saj të 5 nëntorit, nga do të zgjidhen forumet e reja vendimmarrëse të kësaj partie. Blushi ishte tërhequr nga deklaratat, intervistat dhe debatet e brendshme dhe pse brenda PS-së ka pasur zëra ndryshe, që pas shkrirjes së Lëvizjes për Mendim Ndryshe, e cila, pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-s, u organizua si lëvizje brenda PS-së. Që atëherë ai kaloi në heshtje të plotë, deri para pak ditësh, kur dha intervistën e parë për “Panoramën”, e ku preku të gjithë problematikën e brendshme dhe atë jashtë PS.
I pari që erdhi te kafja ishte Blushi, i cili duket se kishte lenë takim me Ramën që më parë. I veshur sportiv, ai zuri një tavolinë që shihte dhe shihej nga të gjitha anët e lokalit. Lokali kishte pak klientë, ndërsa klientët e tij të zakonshëm kishin kohë që ishin larguar. Dy-tri tavolina ishin të zëna në lokal, duke i dhënë këtij takimi komoditetin e të qenit larg ngacmimeve partiake apo politike të ndonjë simpatizanti. Por, brenda në lokal ishin deputetët Sajmir Tahiri, Dashamir Peza e pak më vonë do të mbërrinte dhe sekretari Organizativ, Blendi Klosi. Gazetarët e akredituar si gjithnjë pranë PS-së ishin aty, sikur të nuhasnin se një gjë e pazakontë do të ndodhte këtë të shtunë. Ishte ora 11:30 kur Rama zbriti nga zyra e tij për t’u bashkuar me Blushin. Edhe Rama, jashtë protokollit zyrtar, me një veshje të përshtatshme për një të shtunë, me xhinse, këmishë dhe një xhakë të lehtë. Kishte kohë që Blushi dhe Rama nuk takoheshin në publik, ndërkaq kamerat e pranishme aty nisëm të fiksonin këtë moment. Në fakt, operatorët pritën të merrnin shpejt e shpejt plane me mendimin se takimi do të qe i shkurtër. Në fund ata u dorëzuan dhe i lanë bashkëbiseduesit të qetë, derisa dielli u fsheh pas selisë së PS-së drejt perëndimit. Blushi i dorëzoi personalisht në dorë Ramës ftesën për promovimin e librit të tij të ri “Shqipëria”, i cili do të zhvillohet më 4 nëntor. Në lokalin pothuaj bosh biseda nisi për letërsinë, mes dy shkrimtarësh që do të promovojnë letërsinë e tyre në muajin nëntor. Rama do ta nxjerrë librin e tij të ri “Kurban” më 10 nëntor. Por, të ulur pas një kohe kaq të gjatë, letërsia duket se mbeti vetëm pikënisja e këtij takimi. Herë pas here divergjencat e tyre në këndvështrime dukeshin dhe në tonin e Ramës apo lëvizjet e duarve tek fliste me Blushin e qetë, të dy të rehatuar në shiltet e karrigeve dhe nën rrezet e diellit. Blushi ka shijuar kafen e tij për një kohë të gjatë, ndërsa Rama, si gjithnjë, vetëm ujë. Largimi i Ramës dhe Blushit u shoqërua me zhurmë, pasi operatorët e televizioneve lëvizën menjëherë për të marrë plane, ndoshta ndonjë batutë, pasi deklaratë as që pritej. Pak para se të ndaheshin, Rama nuk harroi t’i kujtojë Blushit shmangien e komenteve: “Mos u fol atyre!”. Por pak sekonda më pas, Blushi u kthye pranë tavolinës. Duket se gjatë qëndrimit, portofoli i tij, i papërdorur, kishte rënë poshtë. Kamerieri vrapoi që t’ia jepte, ndërsa duke mos dalë dot nga vetja, dha batutën e vetme: “Sa herë vjen këtu, do të lësh diçka!”. Asnjë deklaratë deri në largim të plotë nga selia rozë, ndërsa Rama u kthye në zyrë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura