Rama: Do qëndroj kryetar bashkie, e kërkojnë qytetarët

Mar 25, 2011 | 10:53

Kryetari socialist, Edi Rama, deklaroi dje kandidimin e tij për mandatin e katërt në Bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në Top Channel, Rama tha se e kishte marrë këtë vendim për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët, por dhe nga socialistët e deputetët, duke marrë kështu përsipër, sipas tij, garancinë për të fituar ndaj kandidatit të maxhorancës.

Sekretari socialist, zoti Fatmir Xhafaj, është shprehur pak ditë më parë se në këto kushte, PS mund të shikojë dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhje. Është një opsion i PS-së mospjesëmarrja në zgjedhje?
Unë nuk mendoj se teza e hedhur nga Fatmiri ka pasur këtë kuptim. Unë përsëris, ne do të jemi kudo, do të jemi përballë, do të luftojmë për votën e qytetarëve, do ta marrim votën e qytetarëve dhe do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë atë e, në rast se vota do të preket, ne do të jemi në rrugë dhe nuk do të kthehemi nga rruga derisa të vendosim në këtë vend lirinë dhe demokracinë, lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me votë.
Disa nga ndërkombëtarët, përfshirë këtu edhe amerikanët, kanë shqetësimin se ju mund t’i hidhni në erë zgjedhjet e 8 majit pikërisht më 8 maj. A është braktisja e zgjedhjeve më 8 maj një opsion i partisë suaj që po merret në konsideratë?
Unë mbroj mendimin se në erë janë hedhur zgjedhjet e 28 qershorit dhe ato nuk i ka hedhur në erë opozita, por pushteti që vodhi votat, mbylli kutitë, dogji fletët e votimit, e pastaj materialet zgjedhore i ktheu në materiale sekrete që nuk na qenkan të tilla për atë lolon e Saliut që edhe na i fotokopjuaka te nondaja. Kështu u hodhën në erë zgjedhjet dhe Shqipëria e shqiptarëve socialistë dhe demokratë.
Do t’i bashkoni votat me PD-në për amnistinë fiskale, pasi për këtë është e interesuar një pjesë e mirë e biznesit, por dhe e qytetarëve?
Të gjithë e kanë marrë vesh Saliun që fal qiellin dhe tokën, detin dhe malet në momentin kur duhet t’u lypë shqiptarët votat, ato vota që nuk i dalin për të qëndruar aty ku është dhe mundohet t’u vjedhë shqiptarëve pjesën tjetër të votave. Sa i takon amnistisë fiskale, kjo ka qenë në programin tonë qeverisës dhe ne nuk kemi absolutisht asgjë kundër amnistisë fiskale në parim, por nëse bëhet fjalë për një amnisti fiskale serioze dhe jo për të legalizuar paratë e naftës “Virxhin”, apo të kanaleve të tjera të drogës, të kontrabandës e trafiqeve që lidhen drejtpërdrejt me Saliun dhe me oborrin e tij, atëherë jemi të gatshëm të diskutojmë seriozisht me të për një ligj, i cili të jetë i standardeve demokratike ndërkombëtare, dhe jo i standardeve të oborrit të Saliut.
Jeni për ta votuar tani, apo pas zgjedhjeve?
Kuptohet, ajo që ndodh tani është vetëm dhe vetëm për të bërë në mënyrën më hipokrite përpara biznesit atë që Saliu nuk e bëri deri sot dhe nuk ka për ta bërë sapo të jetë aty pasi të ketë hedhur këtë lumë që në fakt s’ka për ta hedhur dot. Ai e ka lidhur këmbë e duar biznesin shqiptar dhe sipërmarrësit e këtij vendi që nuk janë shërbëtorë të drejtpërdrejtë të familjes dhe oborrit të tij. Këtu duhen ndarë gjërat: amnisti fiskale po, të standardeve ndërkombëtare që të përfshijë brenda të gjitha parametrave të vendeve demokratike dhe ligjore, por amnisti fiskale të bërë për të legalizuar paratë e fituara me trafiqe, kontrabandë e drogë e gjithfarë pisllëqesh e zullumesh që kanë lidhje me oborrin e Saliut, jo.
Zyrtarisht futeni në zgjedhje me 24 parti, por me një aleat të madh më pak, me PBDNJ-në jashtë këtij koalicioni. Mund të na thoni se çfarë ka ndodhur me këtë parti dhe a vazhdon të jetë ajo aleatja juaj?
Së pari më lejoni që unë ta them qartë e sinqerisht hapur. Vangjel Dulja është një aleat i denjë i yni, por edhe një mik i mirë dhe një qytetar i mirë i këtij vendi. Me Vangjel Dulen kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe një bashkëpunim për të cilin unë dhe PS-ja i jemi thellësisht mirënjohës dhe kemi respektin maksimal. Ndërsa sa i përket koalicionit, ai nuk është pjesë e tij, por me të do të bashkëpunojmë në të ardhmen.
Ajo që ju ndau nga PBDNJ-ja është Himara. A ka një strategji për Himarën, pse ju nuk e mbështesni PBDNJ-në në Himarë?
Ne kemi një qëndrim krejtësisht të ndarë në raport me Himarën dhe nuk e kemi me kryetarin e PBDNJ-së, me Vangjel Dulen, por e kemi si një qëndrim kritik ndaj veprimeve dhe sjelljeve të kryetarit të Bashkisë së Himarës. Unë nuk shkoj më tutje sepse nuk kam as dëshirën dhe as jam prej atyre që i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmit, dhe të bëj shqiptarin e flaktë, siç e bëjnë ata që nga njëra anë digjen për ndjenjën shqiptare dhe, nga ana tjetër, djegin Shqipërinë, siç e dogjën në ’97-n apo grabitur në emër të kombit, siç bënë me Rrugën e Kombit. Qëndrimi ynë është i thjeshtë dhe në këtë qëndrim ne ndahemi me Vangjelin, dhe do të nxjerrim kandidatin tonë sepse besojmë se kryetari i Bashkisë së Himarës nuk i përgjigjet denjësisht as nevojave të atij komuniteti dhe as domosdoshmërisë për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme qytetare mes shqiptarëve dhe anëtarëve të minoritetit.
PD-ja ka tashmë kandidatin e saj zyrtar dhe është hera e parë që e deklaron e para kandidatin e saj. PS-ja nuk e ka deklaruar ende. Kush do të kandidojë nga PS-ja për Bashkinë e Tiranës?
Me lejoni të shpjegoj me pak fjalë një proces që për mua personalisht ka qenë i ngarkuar shpirtërisht. Dua ta shpjegoj me zemër të hapur. Ka qenë një proces i ngarkuar shpirtërisht për një arsye shumë të thjeshtë. Mendja normale e shumë dashamirësve dhe miqve më kanë thënë se është koha për t’i dhënë Tiranës një tjetër kryetar bashkie të PS-së dhe për mua kërkuan të angazhohem fund e krye me partinë. Kanë qenë mijëra njerëz me mesazhe, me e-mail, me letra që më kanë kërkuar që unë të qëndroj si kryetar i Bashkisë së Tiranës si diçka që nuk duhet t’ua refuzoj. Dhe kjo ka ardhur akoma më e dukshme nga vetë miqtë dhe bashkëpunëtorët, deputetët, një pjesë e madhe e të cilëve kanë ndarë me mua përpjekjet për drejtimin e Bashkisë. E pra, unë do të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës për të gjithë ata që e kërkojnë këtë nga unë, veteranë apo të rinj. Sot ky është një detyrim që e ndiej si pjesë integrale për t’u përballur në çdo hap dhe në çdo hapësirë me këtë regjim.
Ju do të kërkoni një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës?
Unë do të qëndroj në Bashkinë e Tiranës.
Pasi të votoheni?
Pa dyshim. U kërkoj ndjesë sot të gjithë kolegëve të mi, pa përjashtim, dhe kryetarëve të bashkive që nesër do të konfirmohen, për këtë deklarim timin para kohe, para se të vendoset nga forumet.

© Panorama.al

Te lidhura