
Nga gratë njihet si aktiviste për të drejtat e tyre, nga politikanët si vëzhguese zgjedhore prej 15 vjetësh, nga artistët si bashkëshortja e Vladimir Priftit, ndërsa nga shumë fëmijë dhe të rinj, si motra, vëllai, nëna, shpirti, zemra…
Kështu i thërrasin duke iu hedhur në qafë me dhjetëra vogëlushë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, Rajmonda Priftit, teksa hap derën e qendrës së kujdesit ditor për ta. Godina ndodhet në ish-magazinat e Kombinatit “Misto Mame”, të cilat janë shndërruar krejtësisht në dhoma moderne të mbushura me piktura, por lidhja e Rajmondës me këtë vend ngelet gjithsesi e vjetër. Ajo ka filluar punën aty që 22 vjeç, si inxhiniere e Kombinatit para viteve 90 dhe rastësia ka bërë që të kthehet përsëri edhe në demokraci. Dhe dëshira e saj është që të jetë gjithmonë po aty ku provoi të punojë për herë të parë. “Kjo është shtëpia ime e dytë, ndërsa këta fëmijë dhe të rinj janë familja ime e dytë”, thotë Rajmonda, por pa harruar të tregojë dhe ata “të parët”, bashkëshortin dhe dy fëmijët. Në shtëpi gjërat i ka më të lehta, sepse Vladimiri ka hapësirën e tij krijuese, ndërsa djali dhe vajza jetojnë në Itali. Për më tepër, bashkëshorti regjisor është dhe një kuzhinier i përsosur. Ka edhe shumë receta sekrete të kuzhinës, por edhe sekrete të tjera për një jetë bashkë, të cilat Rajmonda do t’i zbulojë sot për herë të parë. Ja, ashtu si njohja e tyre.
Si jeni njohur me Vladimirin?
U pamë rastësisht për herë të parë në Teatrin Kombëtar, ku ai punonte ato vite si aktor dhe regjisor. Dhe kjo rastësi u kthye në një dashuri që vazhdon edhe sot.
Çfarë i ka lidhur gjithë këto vite një inxhiniere dhe një regjisor?
Ai më është gjendur pranë në të gjithë iniciativat e mia për gratë dhe fëmijët, më ka kuptuar dhe mbështetur. Si natyrë unë jam e dashur, e qetë, por edhe krijuese. I jam bërë në njëfarë mënyre kritike arti për filmat e tij, duke dhënë miqësisht vlerësimet dhe rezervat e mia.
Për shembull, cilat janë ato?
Filmi ka komplekse të mëdha, që nga mënyra se si është shkruar skenari, por baza e tij është nga këndvështrimi që ka për realitetin dhe si do të trajtohet. Ladi si regjisor mund të ndiejë emocione gjatë gjithë filmit, pasi ecën me të në çdo hap, ndërsa unë si spektatore i ndiej emocionet, vetëm pasi e kam parë filmin. Në këtë linjë, unë i kam dhënë mendimet e mia si spektator, ku kryesorja është që, nëpër filmat shqiptarë, ka munguar përgjithësisht ana spektakolare. Megjithatë, përveç kësaj rezerve që e theksova se ka qenë “përgjithësisht në filmat shqiptarë”, më duhet të jap edhe vlerësimin tim, po në lidhje me këtë anë spektakolare. “Udha e shkronjave”, me regji të Ladit, është filmi që i ka sjellë të gjitha këto, jo vetëm si skenar, por edhe si trajtim, regji, zhvillim e mbyllje. Kur filmi ka unitet, kam përshtypjen se ai nuk humbet në kohë.
A ka pasur raste që Vladimiri ka parë te ju aktoren?
Mbase në ndonjë rast (qesh). Kur xhironte ndonjë film me personazh kryesor femër, shpesh më pyeste se si do të kishte qenë po ta luaja unë atë rol.
Megjithatë, nuk ju ofroi kurrë ndonjë rol?
Vetëm në një rast kam pranuar një rol episodik, së bashku me djalin tim, te filmi “Dhe vjen një ditë”, prodhim i vitit 1986. Aktorë kryesorë ishin: Rajmonda Bulku, Xhevdet Ferri, Demir Hyskja dhe Liza Laska, ndërsa unë dhe im bir jemi paraqitur diku nga fundi, thjesht si dy amatorë që u bëhet një pyetje kalimthi nga personazhi kryesor rreth të cilit vërtitet fabula. Ndërsa në filmin “Dasma e Sakos”, ka marrë pjesë edhe vajza. Pra, të gjithë kemi hyrë e kemi dalë nga pak, vetëm Ladi nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë asnjëherë në filmat e tij (qesh).
Dihet që artistët zakonisht kërkojnë hapësira krijuese. Ia keni mundësuar këto Vladimirit?
Patjetër, ai ka në shtëpi zonën e privatësisë. Shpesh hyn në dhomën e tij të tej mbushur me libra dhe videokaseta dhe nuk del që andej me orë. Tani, për shembull, po merret me një dokumentar për heroin kombëtar, Skënderbeun, të cilin shpresojmë që ta mbarojë këtë vit dhe ta shfaqë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Besoj, e keni parasysh se sa volum pune ka figura e tij dhe Ladi nuk e ka vetëm profesion regjisurën, por më shumë e ka pasion.
A është një “regjisor” i mirë edhe në shtëpi Vladimiri?
Perfekt. Di të organizohet shumë mirë edhe në shtëpi dhe sidomos gjallërinë ose gëzimin që transmeton nëpër festat familjare. Për më tepër, di edhe të gatuajë shumë mirë. Ka disa receta sekrete, që janë vetëm të tijat. Fëmijët janë adhuruesit më të mëdhenj të gatimit të tij.
Nga anojnë prirjet e fëmijëve tuaj?
Si djali edhe vajza kane prirje për art. Vajza ka mbaruar Shkencat e Komunikimit edhe përgatitet për specializimin në kinematografi. Ajo mund të rrijë me të atin me orë të tëra duke biseduar rreth kinemasë, ndërsa djali ka xhiruar një film dokumentar, ku dhe ka fituar çmim në Itali. Megjithatë, jeta i ka dhënë drejtim tjetër, siç është menaxhimi, por pasioni për kinematografinë edhe fotografinë, do t’i mbetet gjithnjë. Shpresojmë që edhe mbesa të ketë këtë pasion. Ata tashmë janë të rritur dhe kanë jetët e tyre në Itali. Megjithatë, na mbushin shpesh me surpriza, duke mos na lënë kurrë që të humbim në nostalgji.
A ishte largimi i tyre jashtë vendit, një shkak për t’u kujdesur për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar?
Historia me këta fëmijë dhe të rinj fillon herët, shumë më herët se të iknin nga Shqipëria vajza dhe djali im. Unë jam tepër e ndjeshme për këto kategori dhe në fakt, idetë e mia të para ishin për të ndihmuar gratë në nevojë dhe kjo dëshirë imja ka nisur që kur punoja si inxhiniere në kombinatin “Misto Mame”. Ishin shumica gra, plot probleme. Rastësia e solli që unë të vijoj sërish në këtë godinë, ku nisa punën për herë të parë. Siç e shihni, gjithçka është rikonstruktuar dhe dhomat janë përshtatur të gjitha për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar. U nisa nga gratë, por “rrugës” nuk mundja dot pa u ndalur më shumë me këta fëmijë dhe të rinj. Mendoni për këta persona, mendoni për prindërit e tyre, për të afërmit e tyre. Unë ka menduar, dhe ndaj jam këtu…
Sajmiri, vogëlushi që flet me puthje
Nuk arrin dot të flasë, por di se çfarë kërkon për çdo mëngjes. Sapo Rajmonda hyn në një klasë ku ndodheshin disa fëmijë, njëri prej tyre zgjat faqen. Ai është Sajmiri, i cili e ka “racion” çdo ditë këtë puthje që ngel aty për shkak të buzëkuqit, por edhe një shenjë domethënëse. Sajmiri nuk e fshin asnjëherë dhe nuk pranon të lajë faqen, derisa të shkojë në shtëpi. Kjo është “gjuha” e dashurisë për vogëlushin, i cili sapo shkon në shtëpi ua tregon me gjeste prindërve të tij që e ka puthur teta Monda. Si Sajmiri janë dhe plot fëmijë të tjerë, ku secili prej tyre ka mënyrën e veçantë për të marrë dashurinë, por edhe për të dhënë. Shumë prej tyre, nuk i thërrasin në emër Rajmondës, as me ndonjë emër zyrtar, por me përkëdheli familjare e shpirtërore: Motra, vëllai, shpirti, zemra… janë këto thirrjet më të shpeshta të vogëlushëve që dëgjohen teksa hyjnë dhe dalin nëpër klasa apo dhoma të veçanta, por edhe të prindërve të tyre. Dy nga nënat që kanë këto fëmijë, janë punësuar po në këtë qendër. “Vura re, që kur këta fëmijë kishin pranë edhe nënat, ndiheshin më mirë, plot dëshirë për të mësuar dhe të lumtur”, thotë Rajmonda, ndërsa njëra prej këtyre nënave, Yllka, e mbështet duke shtuar se kishte ndërruar 3 shtëpi me qira, vetëm për të qenë pranë kësaj qendre. Një vend plot dashamirësi ku, nëse nuk e sheh dot vetë nga afër, është shumë vështirë për t’u besuar që është i vërtetë…
10 herë vëzhguese
Aktiviste për të drejtat e njeriut, publiciste, autore e disa studimeve për gratë, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar, Rajmonda Prifti është edhe vëzhguese e zgjedhjeve që nga viti 1997, së bashku me shoqatën për Kulturë Demokratike. Kështu, ajo ka qenë vëzhguese në 10 fushata zgjedhore në Shqipëri, por edhe në Ukrainë, Kosovë etj, në kuadrin e misionit ndërkombëtar ENEMO. Sipas saj, ajo çfarë e bën të besueshme si vëzhguese zgjedhjesh, është profesionalizmi, korrektësia, objektiviteti dhe paanshmëria. Duket se Rajmonda i ka pasur të gjitha këto, përderisa ka arritur të jetë prezente në 10 fushata elektorale.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











