Radioaktiviteti i Japonisë nuk kërcënon Shqipërinë

Apr 8, 2011 | 10:33

Shqipëria nuk rrezikohet nga asnjë re radioaktiviteti që mund të vijë nga Japonia. Këtë sqarim japin drejtuesit e Qendrës së Fizikës Bërthamore. Alarmi është ngritur pas një e-maili që qarkullon, sipas të cilit e gjithë Europa mund të përfshihet nga një re radioaktive. “Nuk ka asnjë rrezik për Shqipërinë. Lëshimet që u kryen nga shpërthimi i centralit të Fukushimës në Japoni, pra shpërthimet në ajër ishin të rrezikshme, por për Japoninë dhe zonat përreth”, shprehen specialistët. Ata thonë se edhe nëse do të ketë një shtim të radioaktivitetit në ajër, që mund të vijë si pasojë e shpërthimeve në Japoni, për vendin tonë ato janë të parrezikshme. Në vendin tonë janë bërë matjet e duhura në ajër, ndërkohë që kjo deklaratë e specialistëve bazohet edhe në të dhënat që raporton Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

© Panorama.al

Te lidhura