
KSAMIL – Ndërsa pak ditë na ndajnë nga sezoni turistik, Ksamili përgatitet për pushuesit. Këtë verë, infrastruktura rrugore ka pësuar ndryshime të dukshme me shtrimin me asfalt dhe zgjerimin e aksit rrugor Sarandë-Ksamil-Butrint, rrugë kjo që do të afrojë Ksamilin me Sarandën dhe Butrintin antik. Gjithashtu ka përfunduar tërësisht rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë të të gjitha familjeve. Rrugët janë tërësisht të ndriçuara, dy shatërvanë janë instaluar në dy qendrat më kryesore të qytezës dhe janë vendosur edhe dy skulptura prej bronzi të madhësive të mëdha. Gjithçka, këtu është në funksion të zhvillimit të turizmit, i cili për këtë vit, sipas kryekomunarit Vesel Koçia, do të jetë më efikas pikërisht për arsyet e lartpërmendura. Ksamili, i cili shtrihet në pjesën jugperëndimore të Sarandës, ka një popullsi prej 9300 banorësh. Në të operojnë 104 subjekte të turizmit dhe atij familjar, mes tyre 17 hotele të mirëfillta. Gjithë kapaciteti i përgjithshëm akomodues hotelier dhe ai familjar në Ksamil është rreth 350 shtretër. Sipas burimeve zyrtare nga komuna mësojmë se në sezonin e kaluar, vlera e fitimit nga turizmi familjar dhe ai hotelier ka qenë në shifrat e 5 milionë lekëve. Për shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, Ksamili përbën një destinacion mjaft tërheqës, sidomos për detin e pastër, dhe kjo bën që numri i turistëve të vijë çdo vit në rritje. sh.d











