“Qytetarët po lëvizin me gomone!”- Përmbytjet në Lezhë, Agron Gjekmarkaj: Situatë emergjente, qeveria merret me spektakël politik!

Nov 27, 2025 | 19:28

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas situatës së rëndë të përmbytjeve që kanë prekur disa zona të këtij qarku, duke e cilësuar gjendjen “emergjente” dhe duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet.

lezhe

Sipas Gjekmarkajt, dëmet e shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit janë masive, ndërsa mijëra hektarë tokë bujqësore ndodhen ende nën ujë.

Ai theksoi se banorët dhe fermerët po përballen të vetëm me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit, ndërsa po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur.

“Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit. Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete”, shkruan ai.

Ai akuzoi qeverinë se po fokusohet te kundërshtimi i mesazheve të opozitës, në vend që të marrë masa të prekshme për menaxhimin e situatës.

Reagimi i Agron Gjekmarkajt:

Dëmet nga përmbytjet në Lezhë janë masive dhe situata në terren kërkon reagim urgjent, jo spektakël politik. Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.

Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.

Në vend të masave të qarta, koordinimit dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket më i interesuar të kontrollojë narrativën e opozitës që denoncon vështirësitë e banorëve, ta sulmojë  atë, sesa të kontrollojë situatën.

Kjo qasje e shkëputur nga realiteti vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësi për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve.

© Panorama.al

Te lidhura