Qeveria rinovon borxhin në valutë, blen 17.5 milionë euro

Apr 26, 2011 | 11:18

Borxhi i brendshëm në euro është rinovuar edhe njëherë nga qeveria, e cila ka blerë nga bankat e nivelit të dytë në muajin mars 17.5 milionë euro, me interes 6.3 për qind.Afati i shlyerjes së këtij borxhi është 9-mujor dhe interesi krahasuar me herën e fundit të emetimit është rritur me 0.3 për qind. Në muajin shkurt qeverisë i takonte që të shlyente borxhin 25 milionë euro, të marrë një vit më parë në euro, në muajin qershor, me një interes 6 për qind, por menjëherë, në mars, pjesa më e madhe e borxhit u rinovua. Krahasuar me një vit më parë, në 2011-n u blenë 7.5 milionë euro më pak dhe kjo në varësi edhe të interesit me të cilin është marrë borxhi. Në fakt, qeveria kishte kërkuar për të blerë 18.5 milionë euro nga shitja e bonove, por bankat në vend kanë dhënë një milion më pak. Interesat e qeverisë për të marrë sërish një borxh në euro, përveçse me nevojën për para për të plotësuar deficitin, lidhet më së shumti edhe me faktin që tregu vendas nuk po absorbon kredinë në valutë për shkak të besimit më të ulët që ekziston nga rreziqet që mbartin kreditë më valutë të lidhura me kursin e këmbimit. Po kështu, kreditë në valutë kanë interesa të lartë dhe ky është një tjetër fakt që duket se dekurajon marrjen e kredive në monedhë joshqiptare. Kjo, me sa duket, u ka krijuar mundësinë bankave që të disponojnë euro në një vlerë të madhe të shkaktuar nga mostërheqja në treg. Në këtë pikë bankat kanë gjetur forma të tjera për të përfituar interesin që duhet të kthejnë te depozitat. Gjatë 2010-s ato kanë investuar një pjesë të euros “rezervë” jashtë vendit. Vetëm për vitin 2010, sipas Raportit të Stabilitetit Financiar, për gjashtëmujorin e dytë rezulton që të jenë investuar jashtë 1.2 miliardë dollarë nga bankat në vend. “Investimet e sektorit bankar në mjete të subjekteve jorezidente u ngjitën në nivelin 122 miliardë lekë, duke u rritur me 46.1% ndaj një viti më parë. Vendosjet e bankave pranë grupeve bankare jorezidente vlerësohen në masën 70.6 miliardë lekë, prej të cilave 63.2 miliardë lekë janë në formën e llogarive rrjedhëse të depozitave dhe 7.4 miliardë lekë në formën e kredive”, thuhet në raport.

Ardhja e emigrantëve, euroja bie nga maja

Ardhja e emigrantëve gjatë ditëve të kaluara për të festuar Pashkët në Shqipëri solli edhe rritjen e qarkullimit të euros në vend. I menjëhershëm duket se ka qenë ndikimi i kësaj lëvizjeje në treg, ku euroja është ulur nga majat mbi 141.5 ku ishte stabilizuar prej ditësh, duke filluar rënien. Vetëm ditët në vijim do ta tregojnë nëse kjo tendencë rënieje do të mbahet apo euroja do të fillojë sërish rritjen e nisur javë më parë. Në ditët më të këqija për lekun gjatë javëve të fundit, euroja u shit në vend me 141.6, nivel ky që konsiderohet i lartë dhe jep efekte direkt negative, sidomos tek ata që kanë marrë një kredi në euro,
kurse rrogën e kanë në lekë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura