Qeveria miratoi dje konventën e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës së grave dhe dhunës në familje”. Në fjalën e tij para mediave, kreu i Ekzekutivit u shpreh se ky është një ligj ndërkombëtar jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përbën dokumentin më të rëndësishëm europian të parandalimit dhe luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. “Kjo është forma më e shëmtuar dhe më kriminale e dhunës, forma më mesjetare dhe që, për fat të keq, përbën një problem real për shoqërinë shqiptare”, tha Kryeministri. Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje serioze dhe po bën gjithashtu përpjekje edhe më serioze kundër dhunës ndaj grave. Konventa, vijoi Kryeministri, duhet të zbërthehet në të gjitha aktet e domosdoshme nënligjore, në mënyrë që zbatimi i saj të bëhet prioritet absolut. Duhet të merren disa praktika të vendeve më të avancuara në këtë fushë dhe të instalohen progresivisht.











