Të gjithë ata banorë që jetojnë në ambientet e ish-Fabrikës së Qelqit, tashmë do të mund të privatizojnë “banesën” e tyre. Vendimi i djeshëm i qeverisë në favor të tyre përcakton kalimin e ambienteve që nuk janë privatizuar më herët në përgjegjësi dhe administrim të Entit të Banesave për t’ua dhënë atë qytetarëve që kanë vite që jetojnë aty. “Pas kalimit në përgjegjësi administrimi të Entit Kombëtar të Banesave, ngarkohet Enti Kombëtar i Banesave të lidhë kontratat e privatizimit me banorët, të cilët banojnë në këto objekte, sipas listave”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkaq, zbatimi i plotë i këtij vendimi i është ngarkuar një zinxhiri institucionesh si ministri i Brendshëm, ministri i Ekonomisë, ministri i Punëve Publike, Enti Kombëtar i Banesave.











