Qëlloi gruan me thikë për xhelozi, vdes 49-vjeçari

Apr 13, 2011 | 11:10

Ndërron jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë burri që qëlloi veten me thikë pasi tentoi të vriste gruan për xhelozi.Hetem Fidani, 49 vjeç, humbi jetën gjatë natës, pas komplikacioneve për shkak të hemorragjisë së brendshme, por edhe pasi kishte humbur shumë gjak nga plagët që i kishte shkaktuar vetes me thikë. Policia pohoi se bashkëshortja e tij, shtetasja Esmeralda Fidani, 46 vjeçe, e ka kaluar rrezikun për jetën, edhe pse gjendja e saj shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë nga plagët që i shkaktoi bashkëshorti.
Krimi në familje ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 03:30 të mëngjesit, në banesën private të familjes Fidani, te Rruga e Qelqit, në lagjen “Kombinat” të Tiranës. Grupi hetimor i policisë së kryeqytetit e ka klasifikuar ngjarjen si “vetëvrasje”, megjithatë, në përfundim të raportit mjeko-ligjor do të përcaktohen shkaqet që sollën vdekjen Hetem Fidanit. Specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës thanë se 49-vjeçari, përveç plagëve me mjete prerëse, të shkaktuara nga e njëjta thikë me të cilën ka goditur edhe bashkëshorten, është goditur edhe në kokë me një shkop druri nga djali i tij, Anderson Fidani. Kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, kryefamiljari është gjetur pa ndjenja si pasojë e goditjes në kokë. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse humbja e ndjenjave është shkaktuar edhe nga plagët e thikës. Policia ka shoqëruar pas ngjarjes edhe djalin e çiftit Fidani, Anderson Fidani, i cili ka pranuar se ka goditur me shkop babanë, në mënyrë që të shpëtonte nga sulmi nënën. Edhe ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, por mësohet se ai do të thërritet sërish për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes.
KRIMI NE FAMILJE
Nga deklarimet që kanë dhënë në polici dy djemtë e çiftit Fidani, Andersoni dhe Dorjani, grupi hetimor tha se motivet e krimit të familje lidhen me xhelozinë që autori kishte shfaqur dy javët e fundit ndaj bashkëshortes. Sipas policisë, Hetem Fidani, gjatë një dialogu të vetëm që ka bërë me oficerët e policisë në Spitalin Ushtarak, ka deklaruar se dyshonte që e shoqja e tradhtonte me një tjetër. Ky dyshim i kishte lindur pas një bisede me vëllanë e tij, i cili i kishte treguar se e ka parë Esmeraldën me një tjetër. Prej atij momenti, Hetem Fidani e kishte ndjekur të shoqen sa herë që ajo dilte nga shtëpia, por nuk e kishte parë me njeri. Megjithatë, në disa raste kur ajo dilte, vonohej dhe për këto vonesa ai dyshonte se ajo takonte të dashurin, për të cilin i kishte folur i vëllai. Mbrëmjen e së dielës, Fidani ka qëndruar jashtë deri vonë duke pirë dhe kur është kthyer në shtëpi ishte në gjendje të dehur. Sapo ka mbërritur në shtëpi, i ka kërkuar të shoqes që të bisedojnë dhe për të mos zgjuar djemtë, kanë dalë në verandën e shtëpisë së tyre përdhese, duke debatuar fillimisht me zë të lartë. Më pas, Hetem Fidani, me një thikë flutur që mbante në xhep, e ka goditur disa herë bashkëshorten, Esmeralda Fidani, e më pas është vetëplagosur.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura