Qarkullonte i armatosur, arrestohet Petrit Mërnicës, djali i tij vrau një vit më parë efektivin Novruz Cenalia

Nov 23, 2025 | 13:12

Policia e Fierit ka vënë në pranga një 57-vjeçar, i cili qarkullonte i armatosur. Mësohet se në pranga është vënë shtetasi Petrit Mernica dhe rezulton të jetë babai i Azgan Mernicës, të riut i cili më shumë se një vit më parë vrau efektivin Novruz Cenalia.

Azgan Mernica Novruz Cenalia

Policia thote se Petrit Mernica 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj në Fier, ka qenë i dënuar më parë për vrasje. Petrit Mërnica ka bërë 20 vite burg për vrasjen e kunatit te tij.

Vrasja e policit Novruz Cenalia

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal.

Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi Novruz Cenalia, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngjarjes, teksa ishte në detyrë.

Sipas Prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje efektivin me plumb në kokë. Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjaret e tij.

Azgan Mernica është dënuar me burgim të përjetshem per vrasjen e efektivit Cenalia.

Njoftimi i policise

Lëvizte i armatosur me pistoletë me vete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 57-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me 2 krëhëra me municion luftarak.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pathway”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shtetasin P. M., me 1 armë zjarri pistoletë, me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, që i mbante në çantën e dorës.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier, i dënuar më parë për vrasje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura